Publikimi i Raportit “BIG DEAL"

Sipos: Marrëveshja Hungari-Serbi për Lëvizjen e Lirë nuk Përmend ‘Kosova e Metohija’

Zëvendës-ambasador i Hungarisë në Kosovë, Istvan Sipos, duke folur për mungesën e transparencës, shfaqi një rast të ngjashëm të keqkuptimit me një marrëveshje që kishte Hungaria dhe Serbia për lirinë e lëvizjes.

“Është përmendur disa herë se sa i ndryshëm është raportimi nga dialogu, dhe këtu në dorën time e kam një raport në versionin serb për lirinë e lëvizjes, ku përmendet një marrëveshje me Hungarinë, dhe meqë jam zëvendës-ambasador i Hungarisë këtu, them se përmenden individ  nga Kosova dhe Metohija. Dhe ja ku e kam një marrëveshje të nënshkruar nga ministri i Brendshëm serb dhe kurrsesi dhe në asnjë mënyrë nuk përmendet Kosova dhe Metohija”, tha ai.

Budimir Niçiç: Edita Tahiri asnjëherë nuk ka ardhur në emisionet e mia për të folur për dialogun

Budimir Niçiç, gazetar serb kishte kritika ndaj ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri. Ai tha se ajo asnjëherë nuk ka qenë në emisionet e tij për të folur për dialogun.

“Znj. Tahiri ka harruar të përmend që lëvizja e lirë i ka kushtuar shumë gjë Gjuriqit. Gjithashtu, i është shmangur kësaj pyetjeje dhe mediat. Edita Tahiri kurrë nuk ka ardhur në emision te unë për të folur për dialog. Ju ftoj në emisionet e mia, mund të flisni edhe në gjuhën shqipe”, tha Niçiç duke iu drejtuar Edita Tahirit.

13:15

Bane Nesiviç: Znj, Tahiri, mos e përdor fjalën ‘gjenocid’

Bane Nesiviç nga OJQ ‘Aktiv’ nga Mitrovica, ka reaguar ndaj fjalimit të Edita Tahirit, e cila gjatë diskutimin e ka përdorur fjalën ‘gjenocid’, duke iu referuar gjenocidit serb në Kosovë.

“Dua të kritikoj zonjën Tahiri, duke i thënë mos e përdorë fjalën ‘gjenocid’, sepse kjo fjalë mund të diskutohet shumë”, tha ai.

12:40

Rauiri O’Connell: Kosova ende ka imazh lufte jashtë saj, të përmirësohet ai

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Rauiri O’Connell, tha se “njerëzit jashtë Kosovës e kanë imazhin e luftës në Kosovë, njerëz si Rita Ora po ndihmojnë në largimin e këtij imazhi për Kosovën dhe është imazh shumë i mirë”.

“Ka qenë një mundësi e mirë për Qeverinë e Anglisë që të mbështesë punën tuaj. Është me rëndësi implementimi, është vitale të tregojmë që rajoni ka arritur në një nivel ku mund të merret me këto probleme. Njerëzit në shoqëri kur fillojnë ta ndjejnë se jeta është më e mirë, atëherë ka implementim. Nuk mund ta imagjinoj sa vështirë e kanë qytetarët ta kuptojnë këtë proces”, shtoi ai.

Haki Abazi: Po shohim sjellje femijërore të politikanëve

Kurse Haki Abazi nga Fondacioni “Vëllezërit Rockefeller”, tha se krejt kjo po fokusohet në të mira të vogla.

“Marrëveshjet kanë qenë të vështira dhe kompromise të mëdha, por për një fjalë goje, te të dyja anët shohim sjellje fëmijërore të politikanëve tonë”, tha ai.

“Mbi 40 mijë qytetarë kanë kaluar nga Serbia në Hungari. Pajtohem me Edita Tahirin që thotë se marrëveshja për lëvizje të lirë po implementohet”, shtoi Abazi.

Dusan Radokavic: Është katastrofale që asnjë prej 17 marrëveshjeve nuk është implementuar deri në fund

Dusan Radakovic nga Qendra për Avokim dhe Kulturë Demokratike, tha se Marko Gjuriq është shumë keq që nuk është këtu, sepse nuk po e marrim edhe palën e tretë.

“Marko Gjuriq është shumë keq që nuk është këtu, sepse nuk po e marrim edhe palën e tretë. Ne që jetojmë në veri e dimë që kur vjen puna te marrëveshjet, e dimë që janë 17 dhe asnjë deri më sot nuk është implemetuar plotësisht”, tha ai.

Sipas tij, situata nuk është e mirë, sepse mund të eskalojë në një konflikt më të madh dhe asnjë debat publik nuk është realizuar me përfaqësuesit e ekipeve negociuese.

12:20

Samuel Zhbogar: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë i duhet edhe Kosovës

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Samuel Zhbogar, gjatë konferencës tha se është e rëndësishme të ndërtohet një dialog i nivelit të lartë. Në përgjithësi tonet kritike, sipas tij, janë më të mëdha për implementimin e marrëveshjeve.

“Ne duhet t’i kujtojmë vetes se jo shumë kohë më parë njerëzit kanë humbur jetën dhe ligjet e Kosovës tani po implementohen. Kemi kryetarë të komunave veriore që punojnë me ligjet e Kosovës, kemi prezantimin e serbëve në institucionet e Kosovës, nuk keni më barrikada të vërteta në veri. Ajo te ura është me shumë figurative. Kemi strukturat paralele të integruara ose në proces të integrimit në policinë e Kosovës”, tha Zhbogar.

“Rakiq dhe Bahtiri, të dytë u bënë bashkë për të mos lejuar eskalimin e situatës në veti javë më parë. Kjo kupton që dialogu po ateron atje”, shtoi ai.

“Ka një mosbesim dhe askush nuk po punon për ta rregulluar atë. Ne besojmë që të dyja palët mund të bashkëpunojnë më shumë, njerëzit janë skeptik për gjërat që nuk i dinë mirë e pastaj lind imagjinata”, shtoi ai.

Ai tha se dialogu po shihet si i pa interpretuar në asamble. Sipas tij, dialogu është për normalizim të marrëveshjeve, e mbi të gjitha për normalizimin e jetës së njerëzve.

“Integrimi në BE është rruga më e mirë për t’i inkurajuar të dyja palët  për një dialog më të zhvilluar. Kosova po e sheh si një mundësi për Serbinë. Mendoj, duhet ta interpretojë në favorin e vet, sepse është një nevojë e Kosovës të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, për të ecur në rrugën drejt BE-se”, tha më tej Zhbogar.

Edita Tahiri: Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë

Dialogu i Brukselit preferoj ta vlerësoj se si ka qenë situata në fushat ku kemi bërë marrëveshje para se të filloj ky dialog, në katër plane ka rezultate mjaft të mira.

Plani i parë është normalizimi i marrëdhënieve ndër-fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë. “Esenca e normalizimin kupton marrëdhënie të mira dhe ndalje të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë me strukturat e saj që i ka pasur në veri. Plani i dytë është kontributi që po i jep ky dialog në ndërtim të normalizimit të gjendjes në katër komunat veriore dhe po vendoset ligji dhe rendi dhe serbët po integrohen në institucionet, në jetën shoqërore dhe publike. Shumica janë integruar”, tha ajo.

Sipas saj, plani i tretë është plani i integrimit evropian në të cilën kanë bërë progres të dyja palët.

“Është vënë parimi i reciprociteti që është një prej parimeve themelore të marrëdhënieve të të dyja shteteve. Duhet ta dimë se kemi të bëjmë me dy shtete që kanë histori lufte. Serbia ka bërë gjenocid lufte. Përkundër kësaj ne kemi vendosur të ecim përpara, por mos ta harrojmë”, tha Tahiri.

“Vazhdojnë pengesat e Serbinë për anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale. Nuk është çudi retorika e përdorur nga Serbia për vizitën e Thaçit. Mendoj se vetëm Serbia ka mbetur e pa reformuar.

Ajo foli edhe për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve serb në këtë konferencë.

“Sa për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë këtu, dua të them se ne kemi pasur raste kur ne kemi udhëtuar deri në Bruksel dhe kur kemi shkuar atje na kanë thënë se nuk ka ardhur pala serbe”, shtoi ajo.

Ajo tha se po punojnë që ta heqin edhe barrikadën mbi lumin Ibër.

Faik Ispahiu: Komisioni Evropian të ndihmojë në implementimin e marrëveshjeve

Faik Ispahiu nga Internews Kosova, tha se “është vështirë të shtyhet një diskutim i tillë kur nuk janë të gjitha palët”

“Muajin e kaluar kemi kuptuar që në zyrën e Kryeministrit Mustafa është instaluar ‘telefoni i kuq’. Më herët i pamë Ministrat duke pirë kafe dhe menduam se po normalizohen punët. Duhet të dalë një deklaratë e tillë e Gjuriqit për ministrin e Jashtëm e mos me leju me ardhë pala serbe”, tha Ispahiu.

“Raporti ynë përfshin fakte nga tereni duke e verifikuar atë që është thënë nga këto marrëveshje, por jo nga perspektiva e politikanëve, por e qytetarëve”, shtoi ai.

Në këtë drejtim ai tha se do të raportojnë për të gjeturat.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, por edhe Komisionit Evropian që reklamohet si vetëm lehtësues i këtij dialogu, e që ka më shumë fuqi sesa kaq, duhet të ndihmohet për implementim real të marrëveshjeve”, shtoi më tej Ispahiu.

11:30

Jeta xharra: Gjatë tri viteve të ardhshme do ta monitorojmë secilën marrëveshje Kosovë-Serbi

Jeta Xharra – Drejtoreshë e BIRN-it gjatë konferencës kur po prezantohej raporti ‘BIG DEAL’, tha se gjatë tri viteve të ardhshme do të monitorohet secila nga 17 marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në tri vjetët e ardhshme do ta monitorojmë secilën nga 17 marrëveshjet e arritura. Nuk duam që në fund të kemi raport nga të dyja palët se përse nuk po implementohen marrëveshjet”, tha ajo.

Xharra bëri të ditur se rreth kësaj çështjeje janë zhvilluar diku 80 intervista në terren.

“Edhe herën e kaluar, edhe tash kemi zhvilluar diku rreth 80 intervista në terren. Ka marrëveshje nga viti 2011 që janë nënshkruar dhe edhe sot nuk janë zbatuar. Ne e kemi krijuar këtë projekt dhe po e lansojmë këtë projekt edhe në Prishtinë, Beograd dhe Bruksel.

“‘Big Deal’ e përcjell nga afër implementimin e marrëveshjeve. Nuk e kemi këtu anën e përfaqësuesve të anës së Serbisë. Palës serbe nuk i është dhënë leja të vijë në Prishtinë, arsyeja qenka se deklaratat e Marko Gjuriqit paskan qenë provokuese.

Rasa Nedeljkov: Qytetarët duhet ta dinë se çka po bisedohet në Bruksel

Rasa Nedeljkov – Menaxher i programit të Qendrës për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie në Beograd, tha se “transparenca ndërton besim në mënyrë që të kemi një ndikim të qëndrueshëm dhe në Bruksel”

“Jo vetëm qytetarët duhet të dinë çfarë po ndodhë atje, por edhe njerëzit e institucioneve nuk janë gjithmonë të familjarizuar me atë që po ndodhë atje”, tha Rasa Nedeljkov.

“Ne duhet të ndikojmë në një vetëdije më të madhe në pasojat e asaj për çka është dakorduar”, shtoi ai.

Ai tha se “negociatat ekzistojnë për të krijuar kushte më të mira të qytetarëve dhe në këtë proces mungon një llogaridhënie politike”.

“Diçka thuhet në Prishtinë, diçka në Beograd, ka dallim në interpretimin e të dyja palëve për atë çka është dakorduar”, tha Nedeljkov.

“Praktika e tillë duhet të ndalet, sepse është një sakrificë e madhe nëse ndalen negociatat, sepse në fund të fundit, qytetarët humbin. Për këtë arsye iniciativa ‘Big Deal’ do të vazhdojë më një sjellje kritike rreth asaj se çka po ndodhë në Bruksel”, shtoi ai.

11:00

Vetëm katër nga 16 marrëveshjet në mes të Prishtinës dhe Beogradit të arritura në Bruksel që prej vitit 2011, janë zbatuar tërësisht. Këtë e tregon një raport i ri nga ‘Big Deal’, një nismë qytetare për mbikëqyrjen e negociatave Kosovë-Serbi, i cili do të publikohet sot.

“BIG DEAL: Të humbur në ngecje” është raport i përbashkët i përgatitur nga BIRN Kosova, Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA nga Serbia si dhe Internews Kosova.

Raporti fton të dyja palët dhe Bashkimin Evropian t’i caktojnë prioritetet e të ashtuquajturit proces të ‘normalizimit’, pasi që shumica e marrëveshjeve të arritura në mes të palëve nuk janë zbatuar tërësisht deri më tani.