Komisioni për Legjislacion - Foto: KALLXO.com

Pse u Shty Emërimi i Anëtarëve të Komisionit për Provim të Jurisprudencës (Dokument)

Komisioni për Legjislacion nuk u mor sot me emrat e propozuar të Komisionit për provimin e jurisprudencës.

Edhe pse Komisioni për Legjislacion ishte mbledhur për të shqyrtuar emrat që i shkuan nga Qeveria për Komisionin e provimit të jurisprudencës, anëtarët e Komisionit vendosën ta heqin këtë pikë nga rendi i ditës.

Shkak për largimin e kësaj pike u bë vendimi i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për tërheqjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për provimin e jurisprudencës.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e ministrit Tahiri në të cilën jepet arsyeja e kësaj tërheqjeje.

“Përmes kësaj shkrese më lejoni të ju njoftojë se me qëllim të konsultimeve të mëtejme, bazuar në nenin 4, paragrafin 2, i Ligjit për Provim të Jurisprudencës, si dhe Rregullores së Punës së Kuvendit për arsye objektive tërheqë propozim-vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Provim të Jurisprudencës”, thuhet në vendimin e ministrit Tahiri i cili mban numër protokolli 02-3865/3.

E përveç këtij vendimi, Komisioni për Legjislacion kishte pranuar edhe dy shkresa të tjera: njëra nga sekretari i përgjithshëm Fitim Krasniqi dhe tjetra nga ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Bajram Bujupi.

Edhe në dokumentet e nënshkruara nga dy sekretarët, Fitim Krasniqi dhe Bajram Bujupi, të cilat i posedon KALLXO.com, kërkohet tërheqja e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për provim të jurisprudencës.

Edhe pse ishte paraparë të raportonte dhe kishte konfirmuar raportimin para Komisionit për Legjislacion, ministri Tahiri nuk u pa fare aty.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se e mori vesh nga anëtarët tjerë që ministri nuk do të marrë pjesë në mbledhje.

Ajo më pas tregoi se disa nga anëtarët e propozuar për Komision për provimin e jurisprudencës nuk e plotësojnë kushtin e përvojës 12 vjeçare të punës siç përcaktohet me Ligjin për Jurisprudencë.

“Në mesin e njerëzve që janë propozuar kemi të atillë që nuk i plotësojnë kushtet e parapara me Ligj meqë nuk kanë përvojë pune 12 vite siç janë kandidatët Haxhi Gashi, Albert Zogaj, Kadri Kryeziu dhe Qerkin Berisha. Plus e kemi kryeprokurorin i cili së fundit dyshohet për provim të jurisprudencës”, tha Haxhiu.

Në tetor të vitit 2017, Qeveria e Kosovës kishte aprovuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për emërim të anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës në të cilën ishin propozuar: kryetar Aleksandër Lumnezi, anëtarë, Haxhi Gashi, Nebojsha Boriçiq, Kadri Kryeziu, Enver Peci dhe zëvendësanëtar Besim Kelmendi, Albert Zogaj, Qerkin Berisha, Ivan Cukaloviq, Emine Kaqiku.

Propozimi për shtyrjen e rendit të ditës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për provim të jurisprudencës u votua në mënyrë unanime.

Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, tha se kërkesa e tërheqjes së vendimit nga një organ më i ulët, në këtë rast sekretari, nuk mund të sjellë anulim të vendimit të Qeverisë.

“Një organ më i ulët nuk mundet me e tërheqë vendimin e Qeverisë. Kështu që ne ta shtyjmë mbledhjen  e ardhshme sepse mund të ndodh që ne i shqyrtojmë emrat dhe Qeveria i anulon”, pohoi Gashi.

E anëtari tjetër, Shkumbin Demalija nga AAK-ja shprehu keqardhje për personat të cilët presin të hyjnë në provimin e jurisprudencës duke thënë se “ ka dhjetëra njerëz që presin të hyjnë në këtë provim”.

Kritik ndaj propozimit të emrit të Aleksandër Lumezit për kryetar të Komisionit për provimin e jurisprudencës ishte edhe anëtari tjetër nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

“Me e caktu Lumezin për provim të jurisprudencës është si ta caktosh Azem Sylën për mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion”, tha Konjufca.

http://kallxo.com/lumezi-e-quan-shpifje-akuzen-e-enver-hasanit-per-falsifikim/

Ndërsa anëtari tjetër i Komisionit për Legjislacion, Korab Sejdiu, propozoi që në Komisionin për jurisprudencë të ketë edhe përfaqësues nga judikatura.

Si rend i ditës në Komisionin për Legjislacion ka qenë edhe zgjedhja e një anëtari të Këshillit Prokurorial nga Fakulteti Juridik.

Edhe kjo pikë është shtyrë për faktin që fakulteti ka dërguar emrat pa u pajisur me dokumentacion shtesë mbi biografinë e kandidatëve.

Gjatë kësaj mbledhjeje, me 5 vota pro dhe 2 abstenime, Komisioni për Legjislacion ka votuar Projektligjin për Ndërmjetësim, i cili iu përcoll Kuvendit të Kosovës.