Franjo Tuxhman (majtas) admironte modelin e pajtimit të Francisco Frankos. Fotot: Beta, Wikimedia Commons/

Pse Presidenti Tuxhman Imitoi Gjeneralin Franko?

Pavarësisht se ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në historinë e Kroacisë, Franjo Tuxhman nuk e fshehu admirimin e tij për sundimtarin fashist spanjoll, gjeneralin Francisco Franko.

“Është e vërtetë se ka pasur viktima të fashizmit, por është gjithashtu e vërtetë që populli vuajti akoma më shumë, si viktima të çetnikëve dhe dhe komunizmit. Le të ngremë një monument për këdo, siç bëri Frankoja, duke bërë të mundur zhvillimin normal të demokracisë në Spanjë,” tha Tuxhman për të përjavshmen kroate Start në prill 1991, pak para se të shpërthente lufta në shkallë të plotë.

Monumenti i Frankos të cilit i referohej Tuxhmani Valle de los Caidos (Lugina e të rënëve), e ndodhur në luginën Kuelgamuros në Sierra de Guadarrama, 50 kilometra nga qendra e Madridit.

Aty ndodhen eshtrat e rreth 34,000 ushtarëve, si nga Falanga fashiste dhe nga pala republikane në Luftën Civile Spanjolle.

Tuxhmani pa një ngjashmëri me Kroacinë, ku, ai tha për gazetën gjermane Tageszeitung në korrik të vitit 1990, “kroatët luftuan për liri nën flamuj të ndryshëm” gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur disa mbështetën regjimin nazist ustash dhe të tjerë mbështetën partizanët komunistë të Josip Broz Titos.

Ai lavdëroi mënyrën sesi Franko “varrosi bashkë viktimat fashiste dhe komuniste”.

“Vetëm në bazë të këtij lloji pajtimi mund të krijohet një shoqëri demokratike, në të cilën nuk do të ketë më anë që luftojnë. Duhet të ndërtohet një monument për të gjitha viktimat e luftës dhe më në fund duhet të kuptojmë se e gjithë kjo (konflikti midis ustashëve dhe partizanëve) ishte pasojë e situatës historike,” shtoi Tuxhman.

U deshën më shumë se 18 vjet që të ndërtohej Valle de los Caidos dhe ajo përfundoi në vitin 1959. Ajo mund të shihet nga më shumë se 30 kilometra larg, me kryqin e saj 150 metra të lartë mbi një bazilikë të gdhendur në shkëmb.

Bazilika ka një sallë masive, e mbushur me mozaikë të shumtë dhe skulptura engjëjsh dhe shenjtorësh.

Dhoma e nëndheshme, ku janë varrosur trupat e të rënëve, ku mund të hyjnë vetëm murgjit, ka të gdhendur “Të rënë për Zotin dhe Spanjën”, një slogan fashit spanjoll, mbi hyrjen e saj.

Një dhomë qendrore, rrethore ka një skulpturë të Krishtit në kryq dhe mozaikë të engjëjve dhe ushtarëve fashistë mbi kupolën e saj.

Para kryqit, është varri i Jose Antonio Primo De Rivera, themeluesi i Falangës që u vra në luftën civile, ndërsa pas tij është varri i Frankos.

Pasi ai funksionon si vend lutjesh dhe meditimi, vizitorët lejohen, por atyre u kërkohet të heshtin, duke i shtuar një atmosferë të përgjithshme shenjtërie.

Pasi u është kërkuar disa herë, rojet e sigurisë e pranojnë se Fondacioni Francisco Franko, i cili ekziston për të ruajtur kujtesën e udhëheqësit spanjoll, vendosin rregullisht lule në varrin e gjeneralit.

“Lugina është një realizim i ëndrrës së Frankos,” tha për BIRN Gareth Stockey, një historian britanik në Universitetin e Notinghamit.

Stockey, i cili shkroi “Lugina e të Rënëve: Pamja që (s’)ndryshon e monumentit të gjeneralit Franko”, shpjegoi se Franko “ishte i fiksuar” me ndërtimin e monumentit.

Ai theksoi gjithashtu se monumenti fillimisht i kushtohej rebelëve të rënë ushtarakë nga Lufta Civile Spanjolle 1936-1939 – forcat e Frankos.

“Kur monumenti u lajmërua për herë të parë më 1 prill 1940, deklarata bëri të qartë se ai ishte për ata që ranë gjatë Luftës për Çlirim, gjatë një kryqëzate kombëtare. Pra, në këtë kuptim, “los caidos”, “të rënët”, u përcaktuan shumë qartë në vitin 1940,” shpjegoi Stockey.

Shpjegimi që mbizotëron më shumë thotë se Franko synonte ta bënte Luginën një monument për të rënët nga të dyja palët që në fillim, por Stockey e hedh poshtë këtë ide dhe ofron një shpjegim që ai e sheh si më të mundshëm.

“Ka gjasa që në fillim të viteve 1960, i gjendur përballë perspektivës së një monumenti shumë të shtrenjtë dhe të madh kur ata nuk mund t’i mbushnin dhomat e nëndheshme, kjo ishte një mënyrë për t’i mbushur ato. Edhe republikanët e varrosur atje u lejuan nga Frankoja me kusht që të dihej se ata ishin katolikë. Edhe në atë kuptim, regjimi po impononte përkufizimin e vet të asaj që nënkuptonte të qenit spanjoll,” tha ai.

Ndërsa dhomat e nëndheshme kishin nevojë për më shumë trupa, autoritetet spanjolle filluan të transportonin republikanë të vrarë nga e gjithë Spanja – të paktën rreth 8,000 të tillë – pa dijeninë e familjeve të tyre apo publikut të gjerë.

“Shpesh kamionë do të mbërrinin në mes të natës dhe gërmonin kufomat për t’i çuar ata në Cuelgamuros, ku ndodhet Lugina e të Rënëve,” tha Stockey.

Stockey shpjegoi se si në hapjen e monumentit, Franko mbajti një fjalim të gjatë me orë, duke paralajmëruar se “armiku është mundur, por s’është mposhtur kurrë”, dhe i bëri thirrje spanjollëve “të jenë vigjilentë”.

Memoriali kryesor në vendin e ish-kampit të përqendrimit në Jasenovac. Foto: Wikimedia Commons/Bern Bartsch.

Sipas Stockey, Franko nuk deklaroi kurrë publikisht se “të dyja palët luftuan për Spanjën”, siç citoi Tuxhmani.

Ai shpjegoi se si gjatë viteve 1960 dhe 1970, më shumë trupa u çuan në Luginë, ndoshta sepse disa njerëz brenda regjimit të Frankos ishin “pak më largpamës” në lidhje me ndryshimet në shoqërinë spanjolle.

Kjo ishte koha kur narrativa në lidhje me monumentin ndryshoi dhe u prezantua në mënyrë paqësore si “një monument i ndërtuar për të dyja palët e Luftës Civile Spanjolle”.

Në vitet e fundit të regjimit të Frankos, narrativa zyrtare e përshkroi gjeneralin si njeriun që solli paqen në Spanjë.

“Lufta civile shihet më shumë si lufta midis vëllezërve, ose si një lloj tragjedie kolektive apo çmendurie midis spanjollëve. Kjo vjen në një kohë shumë të volitshme gjatë tranzicionit të Spanjës në demokraci, sepse krejt papritur keni një narrativë të inkorporuar me të cilën spanjollët janë ishin mësuar, duke thënë se të gjithë duhen fajësuar për Luftën Civile dhe kështu askush nuk duhet fajësuar për Luftën Civile,” tha Stockey.

“Lugina e të Rënëve nuk u konceptua kurrë si monumenti për të dyja palët,” përfundoi ai, duke hedhur poshtë pretendimet e Tuxhmanit.

Paco Ferrandiz, një antropolog spanjoll që ishte pjesë e komisionit të caktuar nga qeveria për përgatitjen e propozimit për transformimin e monumentit, tha se në monument, turistët mund ta vizitonin vendin pa krijuar “një ide të qartë se kush ishte Frankoja”.

Guidat turistike u thonë vizitorëve se ai është një monument për pajtimin dhe përqendrohen te ana estetike e vendit.

Ferrandiz shprehet se për shkak të simbolizmit të tij fashist dhe militarist, ai nuk mund të veprojë si një simbol pajtimi.

“Në tavan, keni një skenë nga Lufta Civile dhe është shumë fashiste. Keni trupa të frikshëm ushtarësh, një flamur fashist, një flamur frankoist,” tha ai për BIRN.

Ferrandiz tha gjithashtu se Franko kurrë nuk përmendi se ai ishte një monument pajtimi, edhe pse në lajmërim kishte një rresht që lajmëronte se të vdekurit e luftës mund të varroseshin në vendin ku thuhej se “njerëzit e vrarë në të dy anët e luftës, me kusht që të ishin katolikë “do të pranoheshin.

Franko kurrë nuk u përpoq të krijonte një “model pajtimi”, shprehet Ferrandiz.

“Nuk kishte pajtim. Frankoja ishte shumë i ashpër me të mposhturit. Ai vazhdoi të vriste pas luftës. Kishte shumë njerëz që shkuan nëpër kampe përqendrimi dhe burgje… Gra dhe fëmijë republikanësh u poshtëruan publikisht,” tha ai.

Nga Frankoja te Franjoja

‘Eshtra në mikser’, artikulli i famshëm satirik i Feral Tribune mbi nismën e Tuxhmanit. Foto: Feral Tribune.

Pas përfundimit të luftës në Kroaci në vitin 1995, Tuxhmani filloi të punonte në mënyrë aktive në vënien në lëvizje të modelit të pajtimit të frymëzuar nga Frankoja.

Në një fjalim në parlament në fillim të vitit 1996, Tuxhman propozoi idenë e tij për të krijuar “një vend përkujtimor për të gjitha viktimat kroate të kohës së luftës” në Jasenovac.

Në gusht të vitit 1941, lëvizja fashiste ustashe kroate ngrit kampin e saj më të madh të përqendrimit në Jasenovac, ku deri në prill të vitit 1945 u vranë më shumë se 83,000 serbë, çifutë, romë dhe antifashistë.

Tuxhmani propozoi që trupat ustashe, partizanët antifashistë dhe të gjitha viktimat civile të varroseshin bashkë në Jasenovac – një ide e frymëzuar nga monumenti i Frankos.

Tuxhman madje propozoi që trupi i presidentit jugosllav Josip Broz Tito, trupi i liderit ustash Ante Paveliç, si edhe trupat e liderëve të tjerë historikë dhe nacionalistë kroatë të varrosur jashtë Kroacisë, të riktheheshin dhe të varroseshin gjithashtu në varrin në Jasenovac.

Në vitin 1996, Marinko Culiç shkroi një artikull satirik të titulluar “Eshtra në një mikser” për të përjavshmen legjendare anti-establishment Feral Tribune.

“A do të përziheshin ata në një varr apo do të vendoseshin pranë njëri-tjetrit? Kjo nuk u shpjegua kurrë saktësisht,” tha për BIRN Culiç, i cili tani është gazetar i të përjavshmes kroate Novosti.

“Edhe pse viktimat e Jasenovacit nga Lufta e Dytë Botërore nuk u përmendën në mënyrë eksplicite, nuk ka garanci se ata do të përfshiheshin gjithashtu,” shtoi ai.

Tuxhmani e pa Frankon si “modelin” e tij të pajtimit, tha Culiç.

“Ai madje foli për veten e tij si “Frankoja i ri”.. Të tjerë shpikën emrin ‘Uashingtoni kroat (si Presidenti i parë i SHBA-së Xhorxh Uashington)’ për Tuxhmanin. Ai nuk e përdori kurrë vetë, por ai foli për veten e tij si ‘Frankoja i ri kroat’; pa asnjë kufizim, në kuptimin më pozitiv, duke thënë, ‘Ajo që bëri Frankoja ishte e mrekullueshme dhe ne do ta përsërisim atë,” shpjegoi ai.

Nisma e Tuxhmanit u prit me dënim, me Feral Tribune që botoi një sërë artikujsh satirikë.

“Jasenovaci në gjykatë’ dhe ‘Ngjyrat e bashkuara të Jasenovacit’, raportimet satirike të Feral Tribune nga gjyqi i gazetarëve të saj. Foto: ‘E qeshura e lirisë’.

“Gjenerali komunist Tuxhman u rikthye në pushtet si një ndjekës i deklaruar i gjeneralit Franko, i cili në vend të “Mirëdita” ose “Lëvduar qoftë Zoti” e kishte zakon t’i përshëndeste njerëzit me “Rroftë vdekja” dhe i cili në të njëjtën periudhë dha urdhër të vriteshin, torturoheshin dhe dëboheshin të gjithë ata që nuk binin dakord me regjimin e tij, në mënyrë që ai të përziente kockat e falangistëve dhe republikanëve të vdekur i patrazuar dhe kështu të ruante paqen në vend,” shkroi kryeredaktori Viktor Ivanciç.

Në nivel ndërkombëtar, pati reagime të ashpra nga organizata amerikane, izraelite dhe hebraike në të gjithë botën.

Gjatë takimit me ministrin e jashtëm të Kroacisë Mate Graniç, sekretari amerikan i shtetit, Warren Christopher, kërkoi që Kroacia të hiqte dorë nga ideja e krijimit të një varri të përbashkët për të gjitha viktimat e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac.

Por pas prezantimit të legjislacionit në vitin 1996 i cili lejon që njerëzit të ndiqen penalisht për fyerje ndaj zyrtarëve të lartë, avokati i shtetit paditi Culiçin dhe Ivanciçin për artikujt e tyre mbi Tuxhmanin.

Gjyqi filloi në qershor 1996 në gjykatën komunale të Zagrebit. Çështja ishte e profilit të lartë, me një sallë të mbushur plot, avokatë të njohur që mbronin Culiçin dhe Ivanciçin pro bono, si dhe mediat vendase dhe ndërkombëtare që ndiqnin procedurat gjyqësore.

“E pyeta gjyqtarin: ‘Nëse mund të votoj kundër Tuxhmanit në zgjedhje, çfarë kuptimi ka që s’mund ta kritikoj atë?” tha Culiç.

Gjatë gjyqit, siç shpjegon gazetari Boris Paveliç në librin e tij për Feral, “E qeshura e lirisë”, Ivanciç mbajti një fjalim duke thënë se pozita e presidentit ishte fyer, por jo nga Feral, por nga vetë Tuxhmani, kur ai shprehu admirim për Frankon.

Culiç e bëri publikun në sallë të qeshte kur ai shpjegoi atë që kishte shkruar në një artikull për Tuxhmanin si një përbërje e pjesëve të trupit nga Josip Broz Tito dhe Ante Paveliç.

“Mendoj se nuk është e diskutueshme, se është e qartë për mua se Franjo Tuxhman nuk është, në kuptimin fizik, i bërë nga një pjesë e Titos dhe pjesa tjetër e Paveliçit,” tha ai në gjykatë.

Gjykata liroi nga akuzat Culiçin dhe Ivanciçin në shtator 1996, me gjyqtarin që tha se autorët po shprehnin mendimet e tyre personale, të cilat nuk mund të përkufizoheshin si shpifëse.

Por në maj 1997, gjykata e lartë e qarkut në Zagreb rrëzoi vendimin për lirimin e tyre nga akuzat duke e çuar çështjen për rigjykim.

Megjithatë, i gjithë gjykimi u ngadalësua pasi Tuxhmani u sëmurë dhe çështja u shty në dhjetor 1997. Tuxhmani vdiq në dhjetor të vitit 1999 dhe ky ishte fundi i të gjithë kësaj.

Me idenë e një varri kolektiv, Tuxhmani donte të rehabilitonte lëvizjen ustashe, tha Culiç – për të treguar se ajo luftoi për Kroacinë njësoj siç bënë partizanët komunistë, “në të njëjtën mënyrë siç bëri Frankoja në Spanjë”.

Sipas Culiçit, presidenti kroat mund të ketë menduar gjithashtu se Frankoja ishte një model i mirë, sepse ai arriti të mbijetonte për dekada me radhë si një lider autoritar – sikur Tuxhmani po mendonte: “Nëse ia doli Frankoja, pse të mos ia dal edhe unë?”