Saimir Tahiri dhe përkrahësit e tij që drejtuan fyerje ndaj gazetarëve | Foto: Malton Dibra/LSA

PS Voton Kundër Arrestimit të Saimir Tahirit

Deputetët e mazhorancës socialiste votuan kundër kërkesës së prokurorisë për lejimin e arrestimit dhe kontrollit të banesës së ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ndërkohë që jashtë parlamentit, një turmë e prezantuar si mbështetës të Tahirit u regjistrua duke fyer dhe kërcënuar gazetarët, në dukje të pakënaqur për pyetjet që gazetarët po i bënin Tahirit.

Deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi: “Lidhur me kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit, ne si shumicë çmojmë se kërkesa e prokurorisë nuk mbështetej në prova.”

Vendimi i Këshillit të Rregullores nuk ka vlerë praktike, pasi vendimi final duhet të merret në seancë plenare, por vota kundër e socialistëve të komisionit sinjalizon një votë të mundshme kundër deputetëve socialistë në seancë plenare, në një votim që me rregullore duhet të jetë i fshehtë.

Incident jashtë seancës

“Trutharë”, “shëmtira e dreqit”, “çjanë këto pyetje”, “plehrë” shoqëruar me kërcënimet “të marr për leckash”, “na del si lugat në televizor”, qenë disa nga fjalët që mitingashët e Tahirit u bërtitën gazetarëve të pranishëm mesditën e 21 tetorit, ndërkohë që Tahiri pati dalë për të komentuar për mediat dhe për të përshëndetur mbështetësit e tij.

Gazetarët e pranishëm në vendngjarje thanë se Tahirit nuk i bënë përshtypje fyerjet dhe kërcënimet e mbështetësve të tij, ose nuk i dëgjoi ato dhe nuk reagoi ndaj tyre. Përkundrazi, ai i përshëndeti mbështetësit e tij me ngrohtësi.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga dhjetë anëtarë dhe në të mazhoranca dhe opozita përfaqësohen në mënyrë të barabartë me nga pesë vota. Vota kundër e socialistëve do të thotë se e majta dhe e djathta do të dërgojnë në seancë plenare dy raporte paralele, ndërsa seanca plenare do të përcaktojë fatin e Tahirit.

Por deputetë socialistë kanë dhënë shenja se kanë ndër mend ta vonojnë dërgimin e çështjes në seancë plenare, ndërsa mazhooranca parlamentare kreu një sulm në front të gjerë ndaj prokurorëve që kanë kërkuar arrestimin e Tahirit duke u përpjekur t’i diskretitojnë ata si “kushërinj të Berishës” apo si të manipuluar politikisht.

Prova sekrete

Saimir Tahiri u konsiderua person nën hetim nga prokuroria shqiptare pasi emri i tij përmendej si një person që mund të ketë përfituar dhurata dhe shuma monetare nga një organizatë kriminale me bazë në Vlorë, në shkëmbim të garantimit të mosgoditjes nga ana e policisë e kësaj organizate kriminale duke shfrytëzuar postin e tij si ministër i brendshëm.

Deputetët socialistë, avokati i Tahirit Artan Hajdari dhe vetë Tahiri kanë deklaruar se sipas mendimit të tyre, provat e sjella nga prokuroria nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar një arrestim. Prokurorët nga ana e tyre kanë detyruar të gjithë anëtarët e Këshillit të Rregullores të nënshkruajnë një deklaratë që i detyron të ruajnë sekretin hetimor dhe u kanë dorëzuar deputetëve një seri provash të tjera, përveç atyre që janë bërë publike, për të cilat mazhoranca thotë se nuk bëjnë, ndërsa opozita pretendon se e “fundosin Tahirin”.

Kuvendi i Shqipërisë është përballur disa herë përgjatë dy dekadave të fundit me kërkesa nga prokuroria për arrestime deputetësh dhe është bindur deri tani në të gjitha rastet. Në rast se kërkesa për Tahirin do të mohohet, kjo do të jetë hera e parë që Kuvendi vepron në këtë mënyrë.

“Shkelje e të drejtave të njeriut”

Një debat teknik i larmishëm brenda dhe jashtë dy seancave të Këshillit të Rregullores shoqëroi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit. Socialistët pretenduan se prokurorët po shkelnin të drejtat e njeriut duke kërkuar arrestim në bazë të provave të cilat, sipas mendimit të tyre, janë të pavlera.

Sipas avokatit të Tahirit, mosdhënia e autorizimit për arrestim do të jetë një precedent pozitiv për mbrojtjen e të drejtave të deputetit Tahirit ndërsa për opozitën, ky është një precedent shumë i rrezikshëm, përmes të cilit, Kuvendi mund t’i japë të drejtë vetes të funksionojë si gjykatë, duke rrëzuar çdo kërkesë të ardhshme të prokurorisë për arrestimin e një deputeti apo ministri të dyshuar për çfarëdolloj vepre penale.

marrë nga reporter.al