Protesta e banorëve të Hades | Foto: KALLXO.com

Protestuesit: Mos e shikoni Haden nga kolltukët

Disa nga banorët e Hades protestuan sot para objektit të qeverisë në lidhje me pakënaqësitë rreth procesit të zhvendosjes dhe anashkalimit të tyre nga institucionet.

Ragip Grajçevci që foli në emër të protestuesve, kërkoi nga Kryeministri Haradinaj dhe qeveria e tij që të mos shikojnë Haden nga kolltukët.

Grajçevci më tutje kërkoi që të dalë dikush nga qeveria që të marrë një delegacion të protestuesve për të diskutuar.

“Kërkojmë që të dalë dikush të marrë përfaqësuesit e Hades dhe t’i diskutojmë problemet tona, në të kundërtën nëse nuk përmbushen kërkesat e banorëve do të vazhdojmë me protesta të tjera por jo protesta paqësore”, tha Grajçevci.

Jahja Lluka, këshilltari i Kryeministrit Haradinaj, u premtoi protestuesve organizim të takimit të tyre me të parin e qeverisë.

“Pasi që agjenda e Kryeministrit është e ngarkuar dola unë që t’i dëgjoj kërkesat e juaja. Do të mundohem qe ta bëj një takim sa më të shpejtë me kryeministrin”, tha Lluka.

KALLXO.com e ndoqi live protestën e banorëve që ende nuk janë zhvendosur nga Hadja.

Banorët e Hades protestuan edhe më herët para qeverisë.

http://kallxo.com/banoret-e-hades-protestojne-kerkojne-zhvendosje/