Protesta e punëtorëve të sigurimit të Universitetit "Haxhi Zeka" - Foto: KALLXO.com

Protestojnë Punëtorët e Sigurimit Pasi Humbin Punën në ‘Haxhi Zeka’

Para rektoratit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” u zhvillua një protestë e 9 punëtorëve të sigurimit fizik.

Këta punëtorë mbetën pa punë pasi ambientet e universitetit tash i siguron një kompani tjetër.

Asllan Dobraj që foli në emër të punëtorëve të mbetur pa punë tha se kompania “Besa Security” ua kishte konfirmuar me mesazh pranimin në punë, por më pas kishte pranuar njerëz tjerë.

“9 jemi pranuar prej kompanisë me mesazhe atëherë jemi largu që të gjithë dhe kanë ardh në skenë 5 persona që nuk kanë pasur mesazhe që janë pranu në punë”,tha Dobraj.

Menaxheri i kompanisë “Besa Security” për rajonin e Pejës, Kushtrim Brahimaj tha se përzgjedhja e punëtorëve është bërë në nivelin qendror të kompanisë.

“Komisioni i dytë e ka bërë përzgjedhjen e punëtorëve të cilët sot punojnë. Nuk ka pasur as presion as trysni, por thjesht janë ndjekur procedura me të avancuara, ka kaluar prej regjionit në nivel qendror të kompanisë rekrutimi, edhe ka ndodhur prej atje”, tha Brahimaj.

Ai deklaroi se askush nuk ka humbur vendet e punës, pasi “Besa Security” nuk kishte obligime ndaj punonjësve të kompanive tjera.

Por Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat që ishte në protestë, paralajmëroi radikalizimin e saj në grevë.

“Nëse sot ne nuk do kemi një konfirmim për kthim të punëtorëve në vend të tyre të punës, ne normal që hapi i dytë është që ne do bëjmë grevë të pandërprerë, po normal duke i respektuar edhe objektivat tona. Na nevojiten se paku 7 ditë paralajmërim për rektorin dhe kompaninë”, tha Azemi.

Ndërsa përfaqësuesi i Parlamentit Studentor të universitetit “Haxhi Zeka”, Mergim Ibraj, punëtorët që mbetën pa punë i vlerësoi gardianë të mirë të ambienteve të “Haxhi Zekës” dhe studentëve.

“Ofrojmë mbështetjen për ta dhe themi me bindje që gjithë këta(punëtor) që sot po i shihni këtu përfaqësojnë një vlerë dhe përfaqësojnë edhe universitetin sepse kanë një përvojë mbi 10 vjeçare secili”, tha Ibraj.

Rektori Fadil Millaku tha se kompania e sigurimit nuk u ka dhënë ndonjë arsye pse nuk i mori në punë këta punëtorë.

“Kompania e ka pasur të drejtën, ka vendosë që t’i marrë disa nga punëtorët, e disa tjerë nuk i ka pranuar. Edhe pas këtij rasti prapë kemi biseduar, kompanisë i kemi thanë arsyen pse? Nuk na kanë dhanë ndonjë arsye”, tha rektori Millaku.