Protestojnë, Nuk Duan Asfalt të Hollë

Banorë të lagjes “Tmava” në fshatin Godanc ia kanë ndaluar punën kompanisë së kontraktuar nga Komuna e Shtimes për shtrimin e asfaltit në lagjen e tyre.

Ata të revoltuar me Komunën e cila sipas tyre ka projektuar që t`ua shtrojë rrugën vetëm 3 metra të gjerë, nuk e kanë lejuar kompaninë që të bëjë shtrimin e asfaltit.

Ilir Arifi, banor i lagjes “Tmava” në fshatin Godanc, ka thënë për Kallxo.com se nuk do ta lejojnë shtrimin e asfaltit vetëm 3 metra.

Ai ka treguar se disa rrugë tjera janë shtruar nga 4 metra të gjera, kurse në lagjen e tyre komuna pa i pyetur banoret e ka ngushtuar asfaltin në 3 metra.

“Ne nuk pranojmë një rrugë të tillë. Këtu ka vend edhe 6 metra me shtru asfaltin, ne po kërkojmë që së paku 4 metra të jetë rruga e jo 3 sa ka planifikuar komuna”, ka thënë Arifi.

Sipas tij komuna po i diskriminon ata pasi që rrugët tjera janë shtruar nga 4 metra.

Në anën tjetër, Fatmir Rexhepi zyrtar në komunën e Shtimes tha se projekti është që 3 metra të shtrohet asfalti, mirëpo ai ka shtuar se do të gjejnë një gjuhë të përbashkët me banorët.

“Arsyeja pse është ndërprerë puna është se banorët kërkojnë që gjerësia e asfaltit të jete 4 metra, kurse në projekt gjerësia e paraparë e asfaltit është 3 metra. Ne do të mundohemi  që të gjejmë një mirëkuptim me të gjitha palët”, ka thënë Rexhepi.