Foto nga Marshi për Zejnepe Berishën. Foto: Atdhe Mulla

Protestë për Zejnepen, Prokurori Kërkon Dënim më të Rëndë

Në rrethana të rënda Zejnepja ishte qëlluar për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj Nebih Berisha.

Për të dënuarin me 12 vite burgim prokurori i rastit dhe avokatja e familjes kanë kërkuar dënim më të lartë ndërsa avokati Esat Gutaj ka kërkuar lehtësim të dënimit.

Në një komunikim me KALLXO.com prokurori i rastit ndaj të akuzuarit Nebih Berisha, Mehdi Sefa, kërkon dënim më të ashpër për vrasjen e Zejnepe Berishës.

“Prokuroria Themelore në rastin e Nebih Berishës ka parashtruar ankesë dhe ka kërkuar dënim më të ashpër me burg, kështu që presim vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me ankesën tonë”, tha prokurori Sefa. Ai ka kundërshtuar vlerësimin e ekspertit të psikiatrisë, i cili kishte pretenduar se dorasi kishte aftësi të kufizuar psikike kur kreu aktin.

“Nuk konsiderojmë se Nebih Berisha në momentin e kryerjes ka qenë me përgjegjësi të zvogëluar siç ka konsideruar eksperti i psikiatrisë”, shtoi Sefa.

E dënim më të lartë për Nebih Berishën ka kërkuar edhe përfaqësuesja e familjes së Zejnepe Berishës, avokatja Fehmie Gashi- Bytyqi.

“Nuk është dënuar në përputhje pe pasojat dhe peshën e veprës penale, andaj konsideroj se ankesa ime do të aprovohet dhe të akuzuarit Nebih Berisha (kryerësi i vrasjes mizore) do t’i rritet dënimi”, tha avokatja Gashi- Bytyqi për KALLXO.com.

E vendimin e Gjykatës së Apelit po e presin me padurim edhe Rrjeti i Grave të Kosovës, i cili ka organizuar protestë e cila do të mbahet këtë të premte, në orën 10:00 para Pallatit të Drejtësisë.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka bërë ftesë për pjesëmarrje në protestën paqësore për dënimin maksimal për Nebih Berishën, të cilin e quajnë “vrasësi i viktimës së dhunës në familje”.

Komunikata e plotë e Rrjetit të Grave

Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Zejnepes. Si rezultat, pas ankesave të bëra nga përfaqësuesja e familjes së Zejnepes, Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që të mbajë një seancë të premten në ora 10:00.

Pas vrasjes së Zejnepës, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit me 12 prill vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burg. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes”. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, RrGK vazhdon ta konsideroj këtë dënim si jo proporcional me veprën e kryer.

Ju rikujtojmë se në të kaluarën institucionet përgjegjëse janë deklaruar se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh. Ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar.

Prandaj, RrGK shpreson që Gjykata e Apelit gjatë kësaj seance do të nxerr një aktvendim meritor. RrGK beson që me vendime të drejta, organet e drejtësisë mund të ndikojnë në uljen e dhunës, respektivisht krimit. Dhuna në familje është krim!

RrGK dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) po bashkëpunojnë në monitorimin e institucioneve relevenate lidhur me rastet e dhunës në baza gjinore, duke përfshirë rastet e dhunës në familje. Ky bashkëpunim synon të ngrisë përgjegjësinë institucionale gjatë trajtimit të dhunës në baza gjinore, dhe të rrisë raportimin e këtyre rasteve, duke u siguruar të ketë drejtësi, mbrojtje dhe rehabilitim për rastet e dhunës në baza gjinore.