Protestë për t’u Kthyer në Kuadër të KEK-ut

Dhjetëra punëtorë të sigurimit të KEK-ut kanë protestuar sot. Ata kërkojnë që vendet e tyre të punës të kthehen në kuadër të kësaj kompanie.

Nexhat Murati, kryetar i Sindikatës së Sigurimit të KEK-ut, tha se deri më tani janë bërë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e këtij problemi, por askush nga institucionet nuk po merret me çështjen e tyre.

“Kështu që ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme me KEK-un sa i përket këtij problemi për të cilin jemi në protestë. Diku me mijëra herë i kemi bërë kërkesa Bordit të KEK-ut, menaxhmentit të KEK-ut, Kryeministrit, Kryetarit të Kosovës dhe të gjitha institucioneve ku kam edhe kërkesa të vazhdueshme”, tha ai.

Sipas Muratit, sektori i sigurimit fizik është privatizuar në mënyrë të padrejtë dhe se qysh nga viti 2004 shërbimet e tyre u janë shitur kompanive private.

“Ne jemi privatizuar në mënyrë jo të drejtë, pa kurrfarë baze ligjore, do më thënë ne e kemi kontratën e përhershme me KEK-un, ku nuk është shkëputur kontrata por veç na shitën shërbimet tona nga viti 2004 nëpër kompani të ndryshme. Deri më tani janë 40 milionë euro që janë dhënë për këto kompani private” , theksoi ai.

Murati tha se protesta nuk do të ndalet deri sa të gjendet një zgjidhje.

“Na tanimë jemi në protestë dhe protestat nuk do t’i ndalim. Tash janë bërë një muaj dhe pas një muaj dhe nuk kemi ku të shkojmë, ku për tre ditë kemi protestuar para Qeverisë, tash do të shkojmë para EULEX-it që të bëjmë protestë se nuk po dimë se nga të marrim zgjidhje”, theksoi po ashtu kryetari i Sindikatës.

Ndërsa, Fahredin Sadiku, punëtor i sigurimit fizik, beson se Zoti me fuqinë e tij do t’i ndihmojë të kthehen në kuadër të KEK-ut ashtu siç kanë qenë më parë.

“Protestojmë se na janë shkelur të drejtat në mënyrë drastike, shumë në mënyrë të ulët. Këto të drejta janë shkelur nga ana e manxhmentit të KEK-ut. Ne mendojmë që jemi në rrugë të drejtë edhe besojmë që dhe Zoti ka për të na ndihmuar që të kalojmë në kuadër të KEK ashtu siç kemi qenë”, tha ai.

Sadiku tregon se në protestë janë 170 punëtorë që janë në marrëdhënie pune. Sipas tij, ata punëtorë që janë në pushim javor dalin në protestë, e cila mbahet çdo ditë që prej një muaji.

Ai po ashtu kërkon që të mos iu mohohet e drejta që të kthehen në vendet e punës në kuadër të KEK-ut, qoftë si punëtorë fizikë apo në vende të tjera të punës.