ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Protestë në Prishtinë Kundër Dhunës në Familje

Feminizmi Shqiptar, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Grupi i Grave Asambliste nga Komuna e Gjakovës si dhe individë e aktivistë nga shoqëria civile, kanë protestuar kundër dhunës ndaj 16 vjeçes nga Ratkoci i Rahovecit.

Të premten e kaluar në rrjetet sociale është shpërndarë një video tre persona shihen duke e rrahur brutalisht një vajzë 16 vjeçe.

Policia ka thënë se e ka trajtuar këtë rast dhe i ka shqiptuar masën 48 orëshe të ndalimit policor të dyshuarit që është xhaxhai i viktimës.

Adelina Berisha, hulumtuese e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, tha se janë mbledhur për të dënuar dhunën për të cilën, sipas saj, të gjithë kanë qenë dëshmitarë.

“Dënojmë dhunën dhe bëjmë thirrje që dhuna në familje të trajtohet me seriozitet nga institucionet e Kosovës duke pasur parasysh se gjithë prej nesh kemi obligim që ta dënojmë dhe ta luftojmë dhunën në familje duke filluar nga familja, shkolla dhe institucionet që janë të thirrura prej ligjit që ta parandalojnë dhe ta luftojnë dhunën në familje”, tha Berisha.

Ajo shtoi se kjo proteste do të ndikojë që organet të merren me rastin në fjalë.

“Shpresoj se nuk kemi me pasë protesta tjera dhe shpresojmë se qytetarët të vetëdijesohen për dhunën e gjithashtu edhe institucionet ta bëjnë punën e tyre si duhet.  E di që kjo nuk mund të realizohet vetëm me këtë protestë por kemi fillu me këtë pastaj të shohim nëse do të ketë dhe si do ta vazhdojmë në të ardhmen”, shtoi Berisha.

Ajo tha se dhuna në familje është e pranishme si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

“Gjatë vitit të kaluar, në bazë të hulumtimit që e kemi bërë, ka dalë se mbi 60 % e qytetarëve të Kosovës janë viktima të ndonjë forme të dhunës në familje”, tha ajo.

Hulumtimi tregon se 68 % e viktimave të rasteve të dhunës në familje janë janë gra ndërsa diku 30% janë djem dhe burra.

“Këto janë shifra shqetësuese dhe tregojnë se ky fenomen është mjaft i pranishëm në familjet tona dhe duhet ta luftojmë”, tha Berisha.

Mosha e cila është më e prekur del të jetë 18 deri 24 vjeçe.