Protestë me fishkëllima kundër skllavërimit në punë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës protestoi në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Protesta me fishkëllima nga filikaqat nisi në Sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar drejt ndërtesës së qeverisë.

Përveç fishkëllimave, të pranishmit i kërkuan qeverisë zbatimin e ligjit, kontratës kolektive, ndërsa kërkuan nivelizimin e pagave dhe sigurimet shëndetësore.

Në protestë u kërkua edhe rritja e pagës minimale në vlerën e 250 eurove.

Në Kosovë aktualisht paga minimale është 170 euro për punëtorët mbi 35 vjeç dhe 130 euro për ata nën këtë moshë.

Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkoi t’i jepet fund skllavërimit.

“Punëtorët nëpër botë i kanë thënë boll mo skllavërimit, e edhe ne themi boll mo!”, tha Ajdini.

Ai deklaroi më tutje se kjo nuk do të jetë protesta e vetme.

Në protestë, Shukrije Rexhepi foli për të drejtat e grave në punë.

Ajo kërkoi barazi reale gjinore, paga të barabarta mes gjinive, vendosje të grave në pozita vendimmarrëse dhe ndalim të ngacmimit seksual në vendin e punës.

Protestës iu bashkua edhe Sindikata “UNIA” e Zvicrës.

Osman Osmani, përfaqësuesi i kësaj sindikate, kërkoi që shëndetësia dhe arsimi në Kosovë të jenë pa pagesë.

Para protestës së BSPK-së, në qendër të Prishtinës u vendos një instalacion kundër vdekjeve në punë, ndërsa aksion simbolik zhvilloi edhe Vetëvendosja.

Vdekjet në vendin e punës vitin e kaluar janë shtuar në raport me parvjet.

http://kallxo.com/instalacion-kunder-vdekjeve-ne-vendin-e-punes/

Derisa në 2016-ën kishte nëntë vdekje në vendin e punës, sipas Lëvizjes “Fol” vetëm në 10 muajt e parë të 2017-ës në Kosovë kanë vdekur 15 punëtorë.