Protesta në Deçan | Foto: Komuna e Deçanit

Protestë dhe Sqarim për Ndalimin e Asim Cenajt

Punonjësit e Komunës së Deçanit protestuan sot para stacionit policor në këtë komunë, pasi policia ndaloi për 48 orë zyrtarin komunal Asim Cenaj.

Cenaj u ndalua dje pasi gjatë një takimi në Asamblenë Komunale të Deçanit të përfaqësuesve të organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare me qytetarë serbë ish-banorë të kësaj komune, foli para tyre duke kërkuar ndriçimin e fatit të të pagjeturve.

Serbët erdhën në Asamblenë e Deçanit në kuadër të nismës së quajtur “Vizito, Shko dhe Shiko!” të organizuar nga Këshilli Danez për Refugjatë dhe organizatat tjera.

Në një komunikatë të Komunës së Deçanit thuhet se Cenaj u ndalua vetëm pse foli për të pagjeturit.

“’Unë që 18 vjet jam në ankth sepse nuk e di ku i kam eshtrat e babait tim, po ashtu edhe familjarët e 84 personave të zhdukur nga Komuna e Deçanit janë ne ankth, sepse nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre ‘’ . Këto janë fjalët për të cilat u penalizua zyrtari i komunës së Deçanit z.Asim Cenaj,” thuhet në komunikatën e Komunës së Deçanit.

Edhe policia pas protestës së punonjësve komunalë sqaroi pse ndaloi Cenajn.

“Gjatë mbarëvajtjes së takimit personi A. C., ka marrë fjalën në këtë takim dhe gjatë fjalimit të tij ka shprehur nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të pranishëm si dhe i njëjti ka deklaruar se pas daljes nga ai takim brenda 30 min, do t’i ftojë të gjithë qytetarët për t’u ballafaquar me Policinë dhe KFOR-in,” njofton Policia e Kosovës.

Por Komuna e Deçanit në reagimin e saj shpreh çudinë pse Cenaj u ndalua për nxitje të urrejtjes.

“Në shtetin i cili pretendon të promovoi vlera demokratike shprehja e lirë dhe prezantimi i brengave për familjarë të zhdukur trajtohet si nxitje e urrejtjeje ndëretnike,” vijon reagimi i komunës.

Në protestën para stacionit në Deçan u pa edhe kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj.