Protesta e SKV-së | Foto: KALLXO.com

Protestë dhe Konferencë e SKV-së Para Stacionit Qendra

Organizata Studentore Studim, Kritikë, Veprim Zhvilloi konferencë për gazetarë dhe protestë pas arrestimit të gjashtë pjesëtarëve të saj, duke kërkuar lirimin e tyre.

Konferenca në të cilën pjesëtarë të kësaj organizate mbanin edhe fotografitë e të arrestuarve u zhvillua para Stacionit Policor “Qendra”.

Përfaqësues të SKV-së thanë se mbrëmë në parkun e qytetit të Prishtinës po e festonin tetëvjetorin e themelimit, kur thanë se ndërhyri policia.

“Kemi dorëzuar me kohë kërkesën për leje të hapësirave publike. Rreth orës 22:00 policia filloi të provokojë duke ngritur zërin. Policia ka rrahur studentet në mënyrë brutale shumë prej tyre janë dërguar në emergjencë”, tha Berna Ramaxhiku nga SKV-ja.

Ndërsa Flamur Pireva nga kjo organizatë studentore fajësoi për veprimet e mbrëmshme drejtorin e policisë Shpend Maxhuni dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Por policia e Kosovës tregoi pse ndërhyri mbrëmë në organizimin e SKV-së.

Shkëlzen Xhafa, komandanti i Stacionit “Qendra”, tha se policia ka pranuar thirrje nga qytetarët për prishje të rendit dhe qetësisë nga të pranishmit në park.

“Policia mbrëmë ka pranuar disa ankesa nga qytetarët, rreth orës 20:45 policia ka shkuar në vend të ngjarjes dhe ka hasur disa persona të cilët kanë bërë prishjen e rendit dhe qetësisë publike”, tha Xhafa.

Ai deklaroi se më pas qytetarët janë ankuar se ata që po prishnin rendin dhe qetësinë publike po përdornin edhe narkotikë.

“Rreth orës 22:47 ka marr prapë thirrje policia se personat po përdorin narkotikë dhe pije alkoolike personat kanë qenë rreth 100 persona”, deklaroi Xhafa.

Ai tregoi se tetë policë janë lënduar gjatë ndërhyrjes, tre prej të cilëve rëndë, ndërsa sipas Xhafës janë gjetur disa gjësende të paligjshme në vendin e ngjarjes.

Policia tregoi se nuk ishte e njoftuar për aktivitetet e mbrëmshme të SKV-së, ndërsa SKV-ja tha se e ka raportuar tubimin në park.