Protesta me Gjashtë Protestues për Vizat

Kryetari i Fondacionit të Kosovës për Inovacione (IFOK), Bashkim Fazliu edhe sot doli para kuvendit për të protestuar në lidhje me mos nënshkrimin e marrëveshjes së Demarkacionit.

Sipas iniciatorit të protestës për të votuar pro nënshkrimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, çështja e nënshkrimit është zgjatur shumë.

“E kam përmend edhe në deklaratat e mëparshme, ne nuk e dimë kush ka të drejt a duhet apo s’duhet me votu demarkacionin por e dimë në gjë, jemi bllokuar. Është zgjat shumë kjo çështje, duam liberalizim jo izolim”, tha Fazliu.

Ai shtoi se zyrtarët e BE-së, kanë siguruar që me nënshkrim të marrëveshjes së demarkacionit do të fitohet liberalizimi i vizave për kosovarët.

“Lufta ndaj korrupsionit do të jetë luftë e vazhdueshëm edhe shtetet e tjera janë në luftë me korrupsionin. Edhe miqtë tanë amerikan edhe Be kanë thënë që kjo është kushti për liberalizim të vizave. Edhe në Rambuje ka pasur struktura që kanë preferuar ma shumë që me mbajt Kosovën e bllokuar se sa me pas aleancë me NATO-n edhe në këtë rast është e njëjta logjikë e para është me na blloku e mos me ngu Amerikën ose Be”, shtoi ai.

Në këtë protestë, të organizuar nga Fazliu ishin jomë pak se 6 persona.

Mungesa e protestuesve sipas Falziut është çështje personale, sipas tij  dalja për të protestuar pro demarkacionit është mënyrë se si ndihet një person.

Ai shtoi se vetë Fazliu ndihet i izoluar ndërsa shtoi se ka pasur përkrahje por nuk e di arsyen se përse nuk ka protestues në lidhje me këtë rast.

Protesta e organizuar nga IFOK kaloi pa incidente.