Foto-ilustrim nga inspektimi i Presidentit Thaçi në autostradë

Protesta e tri Kompanive për Humbjet nga Autostrada

Këto kompani ankohen se shtrirja e autostradës ua ka mbyllur rrugët e operimit, ndërsa nga ky bllokim po pësojnë humbje.

Kompanitë “Xella Kosova”, “Eskavatori” dhe “Dino” që paralajmëruan sot se do të bllokojnë punën në Autostradën në ndërtim Prishtinë-Hani i Elezit mes fshatrave Smallushë e Dobratin të Lipjanit, në konsultim me policinë protestën e zhvilluan jashtë kësaj autostrade.

Pronari i kompanisë “Eskkavatori”, Haziz Rysha tha për KALLXO.com se kanë marrë leje nga policia për protestën, por atë nuk e kanë zhvilluar aty ku e mendonin.

“Policia ka bërë punën e saj. Ne e kemi të drejtën e protestës, jemi konsultuar edhe me Policinë e Kosovës, na kanë dhënë lejen, mirëpo autostrada ku kemi dashur të protestojmë ne normal me i sensibilizu edhe institucionet edhe opinionin, normalisht që policia nuk ka pranuar, mirëpo na kanë thënë që protestën mund ta bëjmë jashtë autostradës,” tha Rysha.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha tha se policia nuk ka penguar protestën.

“Policia e Kosovës njeh të drejtën e secilit për të protestuar në pajtim me ligjet në fuqi dhe nuk qëndron deklarimi se policia ka penguar dikë të protestojë,” tha Hoxha.

Hoxha sqaroi më tutje se kundërshtimi i përfaqësuesve të tri kompanive kundër pretendimeve se janë bllokuar nga autostrada është zhvilluar qetësisht dhe pa probleme.

“Derisa përfaqësues të disa kompanive në mënyrën e tyre  përmes protestës kanë shprehur pakënaqësinë, Policia e Kosovës ka menaxhuar me situatën e sigurisë si dhe mundësimin e lëvizjes së lirë. Dhe nuk ka pasë nevojë për ndonjë reagim apo intervenim të policisë, pasi që çdo gjë ka përfunduar qetë dhe pa ndonjë incident,” shtoi Hoxha.

Rysha nga kompania “Eskavatori” tha se autostrada që po ndërtohet, tri bizneseve që sot protestuan ua ka bllokuar të gjitha rrugët nga kryejnë aktivitetet e përditshme.

“Që 30 ditë rregullisht jemi ankuar nëpër institucione, tri biznese janë shumë domethënëse janë tri biznese mjaft të mëdha, dhe tani na kanë bllokuar të gjitha rrugët dhe pasojat janë jashtëzakonisht të mëdha. Protesta është bërë për të na ndihmuar dhe me na i hapë rrugët  që të zhvillojmë edhe ne aktivitetet tona të përgjithshme dhe të përditshme afariste. Deri tash asnjë institucion relevant ose që ka kompetencë, nuk e a marrë parasysh që të na dalë në ndihmë neve  tri bizneseve,” shtoi Rysha.

Por Ela Ruci, zëdhënësja e kompanive “Bechtel” dhe “Enka” që po ndërtojnë autostradën që do të lidhë Kosovën me Maqedoninë, mohoi se u janë bllokuar rrugët tri kompanive kur foli për KALLXO.com.

“Jo jo, aspak. Ata i kanë të gjitha, e kanë rrugën, e kanë mbikalimin, kaq ishte komenti im,” tha Ruci.

Ajo e kontestoi edhe vendin ku u zhvillua protesta e sotme e tri kompanive.

“Kompanitë kanë hyrë në një territor të shpronësuar e cila është pjesë e punës së autostradës, kështu që qëllimi i tyre është i patolerueshëm dhe që duhet të largohen,” tha Ruci.

Pronari i “Eskavatorit” Haziz Rysha tregoi humbjet që sipas tij ky biznes po pëson nga bllokimi i rrugëve.

“Sa I takon ‘Eskavatorit’ humbjet tona janë rreth 80 mijë euro në ditë duke e pasur parasysh që ne jemi një kompani që operojmë edhe jashtë shtetit, në Maqedoni dhe 500 deri në 1 mijë tonë në ditë asfalt eksportohen për Maqedoni, kemi  projekte milionëshe që jemi duke i punuar,” tha Rysha.