‘Protesta’ e Ambasadorit Delawie Kundër Ndotjes

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka përdorur një mënyrë të veçantë për ta shprehur pakënaqësinë me gjendjen e ajrit në Prishtinë.

Delawie përdori Twitter-in për ta postuar një fotografi të shtatores së Skënderbeut në qendër të Prishtinës, me një maskë kundër ndotjes rreth kokës, për t’i kërkuar qeverisë më shumë angazhim në trajtimin e problemit.

“E dimë se si ndihet! Ndotja është problem serioz në Kosovë dhe shpresoj që të shoh më shumë veprim të qeverisë për ta adresuar këtë problem”, shkroi Delawie në Twitter.

Sot qindra qytetarë të Prishtinës kanë dalë në sheshin kryesor të qytetit për të protestuar kundër ajrit të ndotur të cilin po e thithin tash e sa ditë.

Shërbimet e matjes së ajrit kanë alarmuar ditëve të fundit se niveli i ndotjes së ajrit ka arritur shkallën e rrezikshmërisë së lartë.

 

Qeveria dhe komuna e Prishtinës kanë marrë disa masa në përpjekje për ta parandaluar ndotjen e ajrit duke ndaluar shitjen e qymyrit dhe ndalesën e qarkullimit të veturave në rrugët qendrore të qytetit.

Kuvendi i Kosovës do të diskutojë sot në një seancë të jashtëzakonshme për gjendjen e krijuar ndërsa nesër pritet të mblidhet edhe Asambleja Komunale e Prishtinës.