Propozohen Dy Gjyqtarë për Anëtar të KGJK-së

Kolegjiumi i gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe degëve të saj ka propozuar Zenel Lekun dhe Anita Prenajn si kandidat për anëtar të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Para fillimit te kolegjiumit dhe votimit, kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, kishte vërejtje në procedurat e përzgjedhjes së anëtarit të KGJK-së.

“Procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, kjo që është për neve është obligative dhe do ta respektojmë, ne s’mund ta ndryshojmë ketë sot, mirëpo ne kemi bërë kërkesë që vitin e kaluar që ta ndryshojmë ketë procedurë. Thjesht kemi mendu që gjykatat themelore duhet të jenë ato që duhet ta kenë tretmanin e njëjtë sikurse Gjykata e Apelit, Supremja dhe sikurse e ka Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme”, tha Ibrahimi.

Përkundër kësaj, Ibrahimi kërkoi që të procedohet më tutje.

Vërejtje pati edhe nga gjyqtari i Departamentit Ekonomik, Bajram Miftari, i cili kërkoi që ky proces të shtyhet për 2 apo 3 ditë dhe këto lista të kandidatëve të shpallen të pavlefshme.

Me gjithë këto vërejtje, kolegjiumi zgjodhi Komisionin i cili u kujdes për mbarëvajtjen e votimit. Në garë ishin tre kandidatë: Zenel Leku, Anita Prenaj dhe Syzana Qerkini.

Pas votimit, kandidatë nga Gjykata e Prishtinës për anëtar të KGJK-së u zgjodhën Zenel Leku dhe Anita Prenaj.

“Kandidati Zenel Leku ka fituar 59 vota, kandidatja Anita Prenaj ka fituar 40 vota ndërsa kandidatja Syzana Qerkini ka fituar 26 vota, çka do te thotë se për Gjykatën Themelore të Prishtinës në garën e mëtejme për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës do të garojnë kandidatët Zenel Leku dhe Anita Prenaj”, tha Latif Xhemajli, kryetar i Komisionit.

I pranishëm për ta përcjellë këtë proces ishte edhe një komision prej Këshillit Gjyqësor të Kosovës.