Promovimi i librave për krime lufte | Foto: KALLXO.com

Promovohen Tre Libra për Krimet e Luftës në Kosovë

“Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia para dhe gjatë Luftës 1998-1999”, “Trashëgimia e Shkatërruar në Kosovë 1998-1999” dhe “Kundër Harresës- Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, janë tre librat e promovuar sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare për krimet e luftës në Kosovë.

Në këtë promovim mungoi ministrja në detyrë e Drejtësisë Dhurata Hoxha, edhe pse ishte kjo ministri që organizoi promovimin.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Munir Basha tha se MD-ja është e vetëdijshme që duhet të rris angazhimin sa u takon krimeve në Kosovë gjatë viteve 98-99.

“Ministria e Drejtësisë është e vetëdijshme që duhet të rrisë angazhimin për zbardhjen e krimeve të luftës. Ministria e Drejtësisë do të shqyrtojë mundësinë që të arrijë deri te dënimi i atyre që janë fajtorë në lidhje me krimet e luftës”, tha Basha.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme për viktimat e luftës në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Ismet Salihu, tha se promovimi i librave është një ngjarje e rëndësishme dhe me anë të këtyre librave ruhet ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë.

“Këto tri libra janë shkruan në shqip e anglisht në mënyrë që edhe opinioni ndërkombëtar të njoftohet për këto krime”, tha Salihu.

Ai shtoi se rezultatet e deritanishme të institutit për zbardhjen e krimeve të luftës janë në librat e promovuar sot.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, gjatë këtij promovimi tha se këta libra janë aktivitet i një përmase jo të zakonshme që sjell në mendje për të gjithë shtresat e popullsisë së Kosovës krimet që kanë ndodhur.

“Është një detyrë tepër e rëndësishme e institutit për të zbardhur atë çfarë ka ndodhur në Kosovë”, tha Minxhozi.

E autorja e librit “Kundër Harresës…”, Fetnete Ramosaj falënderoi të gjithë ata që ndihmuan për të mbledhur informacione e fotografi për këta libra, ndërsa kërkoi që një ndër prioritetet e para të institucioneve të jetë argumentimi dhe interesimi për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë.

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës edhe në vitin 2015 botoi libra për atë që ndodhi në vitet 1998-1999.

http://kallxo.com/promovohen-botimet-per-krimet-e-luftes-1998-99-ne-kosove/

Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë u themelua në vitin 2011, ndërsa tre vjet pas themelimit të tij BIRN-i shkroi se ky institut po akuzohej për mosveprim.

http://kallxo.com/instituti-i-kosoves-per-krime-lufte-akuzohet-per-mosveprim/