Prokurororja Hajdari Krahason Ndërtimet pa Leje me Dëmet e Luftës

Në nisjen e gjykimit  ndaj 10 zyrtarëve të Komunës së Prishtinës,  Hajdari i ka krahasuar dëmet nga ndërtimet pa leje me dëmet e luftës së fundit.

“Kryeqyteti  i Kosovës ka mbijetuar luftën gati pa pasoja, mirëpo sipas disa analizave ndërtimet e pasluftës e kanë dëmtuar  75 % të strukturës ekzistuese të qytetit duke përfshirë këtu edhe pjesët e vjetra dhe historike të qytetit,“ ka deklaruar Hajdari.

Ajo tutje ka konstatuar se sektori i ndërtimeve pa leje mban primatin në zhvillimin e korrupsionit, ndërsa zyrtarët që po akuzoheshim qëndronin symbyllur .

”Para syve tonë përderisa kryeqyteti jonë shëmtohej, një numër i investitorëve pasurohej në kohë të shkurtër falë mbylljes së syve të zyrtarëve që kanë pasur për detyrë ti ndalin këto ndërtime,”tha hajdari.

Në polemikat  në gjykatë avokati  Ramiz Krasniqi i ka kujtuar prokurorisë se sistemi i drejtësisë mban primatin e korrupsionit.

“Unë po i them prokurores se  te Raporti i Progresit, madje edhe shumë raporteve tjera ta Bashkimit Evropian, sektorët më të korruptuar në Kosovë janë duke filluar nga Ministria e Drejtësisë e për të vazhduar me prokurorinë, gjyqësorin,” tha Krasniqi.

Debati në mes prokurores Hajdari  dhe avokatit Krasniqi  se cilat institucione mbajnë flamurin e korrupsionit është ndërprerë nga reagimi i kryetarit të trupit gjykues Beqir Kalludra i cili ka kërkuar nga palët të vazhdohet me çështjen.

Aktakuza e prokurorisë speciale pretendon se kryeinspektori Ismet Haliti dhe inspektorët Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj kanë kryer vepër penale pasi me qëllim përfitimi nuk i kanë ndërprerë ndërtimet pa leje në kryeqytet.

Sipas prokurorisë, mosveprimi i inspektorëve  u solli një dobi prej rreth 28 milionë eurove ndërtuesve të kryeqytetit. Të akuzuarit në deklarimet e tyre kanë mohuar pretendimet e prokurorisë duke u deklaruar të pafajshëm. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe avokatët mbrojtës.