Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Prokurorja: Të Akuzuarit Ishin në Kontakte të Vazhdueshme me Pjesëtarët e ISIS

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për përgatitje të sulmit terrorist gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Izrael, të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje.

Pas prezantimit të provave nga ana e prokurores speciale, Merita Bina- Rugova, të akuzuarit nuk kanë dhënë mbrojtjen e tyre, duke vendosur të mbrohen në heshtje.

Ndërkaq, të akuzuarit Artan Ahmeti, Besart Peci dhe Kenan Blakaj, të cilët vetëm se e kanë pranuar fajësinë gjatë procesit gjyqësor, e për të cilët do të jepet vendimi në fund, nuk kishin nevojë që të japin mbrojtjen e tyre.

Paraprakisht u përfundua me prezantimin e provave materiale, me ç‘ rast prokurorja Bina- Rugova prezantoi raportet e vëzhgimit, fotografitë dhe CD- të e nxjerra me zbatimin e masave të fshehta ndaj të akuzuarve, raporti për ekzaminimin e pajisjeve elektronike të të akuzuarve: telefonave mobilë dhe kompjuterëve.

“Nga telefonat mobilë dhe kompjuterët është vërtetuar që gati të gjithë kanë pasur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e ISIS, po ashtu është zbuluar biseda mes të akuzuarve Ibishi dhe Musliu, e cila i referohet pikërisht sulmeve të planifikuara që të ndodhin në Shkodër”, theksoi prokurorja Bina- Rugova.

Këto prova të prezantuara nga prokurorja speciale u kundërshtuan nga mbrojtja dhe vetë të akuzuarit.

Konkretisht, i akuzuari Flamur Gashi pati vërejtje në prezantimin e provës së parë nga ana e prokurores, duke deklaruar se e gjithë deklarata e dhënë tek zyrtarët policorë është e pavërtetë dhe sipas tij, deri tek ajo ka ardhur për shkak të përdorimit të dhunës ndaj tij nga zyrtarët policorë.

“Natën e arrestimit më kanë rreh dhe pastaj kur kam filluar të jap deklaratën m’i kanë treguar ato incizime. Unë kam qenë i shantazhuar”, shtoi i akuzuari Gashi.

Në seancën e radhës, e cila do të mbahet në muajin maj, do të jepet fjala përfundimtare.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet) me dashje kanë pranuar thirrjen e  Lavdrim Muhaxherit ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbolli për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci.