Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Prokurorja Shpjegon Organizimin e të Akuzuarve për Ndeshjen Shqipëri-Izrael

Në gjykimin ku tetë persona akuzohen lidhur me përgatitje të sulmeve ndaj lojtarëve të kombëtares së Izraelit u dha fjala hyrëse.

E para që nisi fjalën hyrëse ishte prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina- Rugova, e cila konsideroi se në mënyrë bindëse do të vërtetohet se të gjithë të akuzuarit që “përkrahën ideologjinë e ISIS” i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Ndër të tjera, sipas prokurores, të njëjtit edhe e kanë dhënë betimin përmes së cilit i janë betuar liderit të kësaj organizate për besnikëri deri në flijim.

“Është e qartë që për kryerjen e veprave të akuzuarit nuk janë bashkuar aspak rastësisht, por janë zgjedhë sipas kritereve të rëndësishme për realizimin e qëllimit të Shtetit Islamik si persona të besueshëm dhe të gatshëm që të flijohen për kauzën. Të njëjtit kanë vepruar në mënyrë të organizuar, ndërsa veprimet e tyre janë drejtuar dhe financuar nga liderët e tyre nga Siria me të cilët kanë pasur kontakte direkte”, shtoi ajo.

Pas prokurores, me fjalën hyrëse vazhdoi mbrojtja e të akuzuarve të cilët nuk e pranuan fajësinë.

Sipas mbrojtjes, nuk ka prova të mjaftueshme të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat edhe ngarkohen.

E Ali Latifi, avokat i të akuzuarit Visar Ibishi, tha se Prokuroria në këtë rast ka marrë prova të improvizuara.

“Do të kisha shumë dëshirë që prokuroria të ofrojë dëshmi faktike siç parasheh ligji e jo të bëjë improvizime… Librat fetarë qenkan vepra terroriste, libri si libër është kulturë i çdo kombi”, vazhdoi Latifi.

E për librat fetarë pati disa fjalë edhe avokati i Burim Istrefit, Ndrec Dodaj, i cili tha “Kodi jonë penal mbajtjen e kësaj literature nuk e sanksionon”, duke e quajtur aktakuzën si totalisht të pakuptimtë.

“Nëse prokuroria me te vërtetë mendon se i akuzuari me të tjerët shkaktojnë frikë për shkak të përkatësisë fetare unë si qytetar që i takoj komunitetit tjetër fetar, nuk e kisha marrë rolin e mbrojtësit”, vazhdoi avokati Dodaj.

Para se të thuhej fjala hyrëse, pas leximit të aktakuzës, dy nga të akuzuarit, Kenan Plakaj e Besart Peci, e pranuan fajësinë.

http://kallxo.com/pranojne-fajesine-dy-te-akuzuar-per-planifikim-sulmesh-ndaj-lojtareve-te-izraelit/

E në fund të seancës, mbrojtja e këtyre të fundit kërkoi nga Gjykata që të njëjtit t’i lirojë nga paraburgimi.

Lidhur me këtë, trupi gjykues do të marrë vendim jashtë seancës, derisa seanca e radhës u caktua për në shkurt të vitit 2018.

Në këtë proces gjyqësor, Kenan Plakaj akuzohet për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të paaurorizuar të materieve plasëse, ndërsa Besart Peci për armëmbajtje pa leje.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti,Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi se nëpërmjet aplikacionit “Telegram” që supozohet se është i padëgjueshëm nuk mund të përgjohet) me dashje kanë pranuar thirrjen e  Lavdrim Muhaxherit ish-udhëheqësit të shqiptarëve në ISIS për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbollistike për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.

Arton Ahmeti e Lulzim Gashi akuzohen për përgatitje të veprave terroriste në Kosovë ndaj ndërkombëtarëve, ose institucioneve të sigurisë, ndërsa Kenan Plakaj për import, eksport, furnizim, transportim apo prodhim të  paautorizuar të materieve plasëse.

Për armëmbajtje pa leje ngarkohen Leotrim Musliu dhe Besart Peci.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij procesi.