Gjykimi për vrasjet në Shaptej | Foto: KALLXO.com

Prokurorja Kundërshton Ekzaminimin Psikiatrik të Durim Lushajt

Në gjykimin e Salih e Durim Lushajt, të akuzuarve për vrasjen e bashkëfshatarëve të tyre Rexhep e Burim Ramaj më 25 gusht 2016 në Shaptej të Deçanit, prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj kundërshtoi në tërësi konstatimet e ekspertëve në raportin e ekzaminimit psikiatrik të bërë ndaj të akuzuarit Durim Lushaj.

Prokuroja Disha Haxhosaj, në seancën e mbajtur të martën, tha se kundërshtimet e saj janë pikërisht për të dhënat e nxjerra nga shkresat e lëndës nga ekspertët e raportit.

“Si nuk e gjetën mundin ekspertët meqenëse janë pajisur me shkresat e lëndës, nuk i morën fare për vlerësim deklaratat e dëshmitarëve të dhëna të paktën në prokurori. Si nuk e gjetën mundin t’i shqyrtojnë deklaratat e të pandehurve në prokurori”, tha prokurorja.

Me pas prokurorja propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen hartuesit e raportit të ekspertizës psikiatrike të kryer ndaj të akuzuarit Durim Lushaj.

“Unë propozoj meqenëse kjo ekspertizë është me këto të dhëna të pakuptueshme, propozoj të ftohen ekspertët dhe për secilën pikë të kësaj ekspertize të na japin sqarime”, tha prokurorja Disha-Haxhosaj

Në anën tjetër, avokati i Durim Lushajt, Gëzim Kollçaku tha se nuk e sheh ndonjë arsye që ekspertët të dëgjohen edhe në gjykatë, pasi sipas tij, ekspertët i kanë analizuar të gjitha provat materiale.

Por Kollçaku tha se nëse trupi gjykues vendos për dëgjimin e ekspertëve në cilësinë e dëshmitarëve, ai nuk do e kundërshtojë një gjë të tillë.

Me pas me aktvendim trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj që në seancën e nesërmes të dëgjohen dy ekspertët- Ajet Bunjaku dhe Fahri Drevinja.

Ndërkaq seanca e radhës e këtij gjykim do vazhdojë të mërkurën.

Sali e Durim Lushaj, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Lushajn bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.