Vendi i krimit afër Shkupit. Foto arkiv: MIA.

Prokurorja Kërkon Rigjykim për 6 Shqiptarët e Akuzuar për Vrasje të Pesëfishtë

Në seancën e së martës në Gjykatën e Lartë, kryeprokurorja e përkohshme Liljana Spasovska këshilloi që dënimet me burgim të përjetshëm duhet të hiqen dhe bëri thirrje për një rigjykim të çështjes që rriti tensionet etnike në vend.

Në fjalën e saj drejtuar Gjykatës së Lartë, Spasovska tha se kishte rrethana të reja në lidhje me çështjen, në të cilin gjashtë të pandehur u dënuan për vrasjet e tmerrshme të pesë maqedonasve etnikë pranë Shkupit në Pashkët Ortodokse në vitin 2012.

Spasovska tha se besueshmëria e disa prej materialeve mjeko-ligjore dhe e provave që u sollën para gjykatës tani po vihej në dyshim.

Ajo tha gjithashtu se e drejta e të pandehurve për një gjykim të drejtë u rrezikua gjatë gjykimit.

Njoftimi i saj nxiti një reagim të fortë emocional dhe lot nga disa prej të afërmve të të pandehurve që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

Megjithatë, Gjykata e Lartë, e cila ende nuk ka marrë një vendim për çështjen, nuk është e detyruar të ndjekë rekomandimin e prokurores.

Në qershor të vitit 2014, Gjykata Penale në Shkup vendosi se Adil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Ljuta ishin fajtorë për vrasjen e pesë maqedonasve etnikë në vitin 2012.

Atyre iu dha dënimi më i gjatë i mundshëm për terrorizëm, burgim i përjetshëm. Ata që atëherë e kanë apeluar vendimin në gjykata më të larta.

Trupat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevkit dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshës nga 18 deri në 20 vjeç, u zbuluan më 12 prill 2012. Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe dukej që ishin ekzekutuar.

Trupi i 45-vjeçarit Bore Stevkovski u gjet një distancë e shkurtër nga të tjerët.

Lajmet mbi vrasjen shkaktuan tensionet etnike, pasi grupe maqedonasish etnikë organizuan protesta, disa prej të cilave u bënë të dhunshme, duke fajësuar për vrasjet anëtarë të komunitetit të madh shqiptar në vend.

Megjithatë, shumë shqiptarë etnikë dhe të tjerë besonin se të pandehurit mund të kenë qenë koka turku dhe se qeveria e mëparshme e udhëhequr nga partia e krahut të djathtë VMRO DPMNE mund të ishte përfshirë në një përpjekje për të treguar se institucionet shtetërore mund ta qartësonin çështjen në mënyrë efikase.

Spasovska mori postin e kryeprokurores së përkohshme pasi kryeprokurori Marko Zvrlevski, i akuzuar gjerësisht si shumë i afërt me ish-partinë në pushtet, u shkarkua në gusht pasi VMRO DPMNE humbi pushtetin.