Pamje nga seanca e gjykimit për narkotik - Foto: KALLXO.com

Prokurorja Kërkon Konfiskimin e Veturave të të Akuzuarve për Drogë

Prokuroria ka bërë rikualifikimin juridik të veprës penale për pesë të akuzuarit për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.

Prokurorja e çështjes Besa Limani qysh në fillim të shqyrtimit gjyqësor deklaroi para trupit gjykues se ka bërë rikualifikimin e veprës penale në atë mënyrë që për të akuzuarit Arjanit Jahiri, Leonard Çuka, Ismir Shiqerukaj e Ylber Sadrija ka precizuar aktakuzën në atë pjesë ku të akuzuarit e lartpërmendur ishin akuzuar se kanë vepruar si grup në kryerjen e veprës penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge, duke rikualifikuar kështu veprën penale që tashmë të lartpërmendurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të cituar më lartë.

Kurse për të akuzuarin tjetër Renald Datja, i cili ishte i akuzuar nga Prokuroria se kishte bërë blerjen, posedimin, shpërndarjen e substancave narkotike, u precizua vepra penale ashtu që tashmë atij i vihet në barrë vepra penale e dhënies së ndihmës për kryerjen e veprës penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes së substancave narkotike.

Menjëherë pas rikualifikimit të kësaj vepre penale, kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca kërkoi nga të akuzuarit që edhe njëherë të deklaroheshin rreth fajësisë, me ç’rast të akuzuarit Arjanit Jahiri, Leonard Çuka, Ismir Shiqerukaj e Ylber Sadrija deklaruan se me rastin e rikualifikimit dhe precizimit të aktakuzës ata tashmë e pranojnë veprën penale e cila u vihet në barrë, duke deklaruar se e ndjejnë vetën fajtorë dhe i premtuan Gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsërisin më gabime të tilla.

Arjanit Jahiri i tha trupit gjykues se ai e pranon veprën penale e cila i vihet në barrë por sa i përket dënimit plotësues – konfiskimit të veturës që është propozim nga prokurorja e shtetit se është produkt i veprës penale apo që me të është kryer vepra penale këtë fakt nuk e pranon.

Vetë avokati mbrojtës i Arjanit Jahirit, Asdren Hoxha, tha se ky rikualifikim i veprës penale sipas tij është dashur të vijë më herët, por edhe pse i vonuar prapë se prapë është i mirëpritur, duke shtuar se të akuzuarit edhe më herët i kanë pranuar veprimet e kundërligjshme por sipas tij kontestues ka qenë vetëm cilësimi juridik i mëhershëm i cili ishte i paqëndrueshëm.

E i akuzuari tjetër Renald Datja edhe pas rikualifikimit të veprës penale kur u pyet përsëri rreth fajësisë deklaroi se është i pafajshëm dhe se edhe më tutje nuk e pranon veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurorja e shtetit, Besa Limani, pas deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, në fjalën përfundimtare theksoi edhe njëherë se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur dhe i propozoi Gjykatës që të marrë për bazë propozimin që si dënim plotësues të akuzuarve t’u konfiskohen edhe tri veturat me të cilat sipas saj është kryer vepra penale dhe të cilat janë rezultat i përfitimit nga vepra penale.

Avokati Asdren Hoxha në fjalën e tij përfundimtare kërkoi nga trupi gjykues që ndaj të mbrojturit të tij Arjanit Jahiri gjykata të shqiptonte një dënim sa më të butë përkatësisht nën minimumin ligjor të përcaktuar për këtë vepër penale, pasi që sipas tij i mbrojturi i tij qysh në fillim të shqyrtimit gjyqësor kishte pranuar veprimet e kundërligjshme duke treguar kështu një pendim të thellë kundrejt veprimeve të tij.

Edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve Leonard Çuka, Ismir Shiqerukaj e Ylber Sadrija kishin përgatitur fjalën përfundimtare të cilën vendosën që me shkrim t’ia dorëzonin trupit gjykues.

Kurse mbrojtësi i Renald Datja, avokati Naim Rudari përpos fjalës së tij përfundimtare të cilën e kishte paraqitur me shkrim dhe të cilën ia dorëzoi trupit gjykues deklaroi se ai dhe klienti i tij edhe më tutje e kundërshtojnë cilësimin e veprës penale për arsye se sipas tyre nuk janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën akuzohet Reland Datja, duke i propozuar kështu gjykatës që Relandin ta shpallë të pafajshëm dhe pas shpalljes së aktgjykimit ta lirojë nga masa e paraburgimit.

“Prokurorja fillimisht deklaroi se ka pasur marrëveshje paraprake në mes të të akuzuarit Renald dhe Ismir dhe në rastet kur kemi marrëveshje paraprake kemi të bëjmë me veprat penale që kryhen në bashkëkryerje dhe fare nuk kanë të bëjnë me veprat penale të dhënies së ndihmës, pasi që për t’u përmbushur vepra penale e dhënies së ndihmës duhet të ekzistojë elementi që do të ishte udhëzimi në kryerjen e veprës penale, largimi ose mënjanimi i pengesave”, tha në fjalën e tij përfundimtare avokati Rudari duke e kundërshtuar kështu edhe më tutje cilësimin e veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij.

Arjanit Jahiri, shtetas i Kosovës, dhe Leonard Çuka, Ismir Shiqerukaj, Ylber Sadrija e Renald Datja, shtetas të Shqipërisë, akuzohen se kanë shpërndarë, shitur, transportuar, ndërmjetësuar dhe dorëzuar substanca të cilat janë të shpallura me ligj si narkotik.

Sipas aktakuzës, më 26 mars 2016, pas ndalimit dhe kontrollit në veturën e të pandehurit Leonard Çuka, në të cilën pasagjer ishte edhe Renald Datja, Policia ka gjetur në gomën rezervë një sasi prej 1867.8 gramë narkotik të llojit marihuanë, si dhe afër frenit të dorës një sasi prej 1.4 gram marihuanë.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-narkotik-kundershtojne-aktakuzen/