Konferenca në Beograd | Foto: Prokuroria Speciale

Prokurorja Drita Hajdari Flet për të Pagjeturit në Beograd

Prokurorja e Prokurorisë Speciale Drita Hajdari foli në një konferencë në Beograd ku po diskutohet për zhvarrosjet e mbetjeve mortore nga luftërat e ish-Jugosllavisë dhe identifikimin e të pagjeturve.

Hajdari kërkoi që të sqarohet e kaluara për një të ardhme më të mirë.

“Pa e sqaruar të kaluarën do ta kemi një të tashme të paqëndrueshme dhe do ta kemi të pamundur ta ndërtojmë një të ardhme të pranuar nga të gjithë, ku nuk do të ketë fitues apo humbës”, tha Hajdari.

Ajo më tutje tregoi se që nga koha kur në vitin 2015 nisi transferimi i rasteve nga EULEX-i te prokurorët vendas, janë lëshuar 56 urdhëresa për zhvarrosje.

Prokurorja Hajdari u ankua se Kosovës nuk iu mundësua si Serbisë krijimi i një gjykate për krime lufte.

Ajo tregoi se si mund të zbulohen më shumë të zhdukur nga luftërat e ish-Jugosllavisë.

“Rezultate të kënaqshme në zbardhjen e fatit e të zhdukurve mund të arrihen vetëm me bashkëpunimin e palëve ndërluftuese, ndërsa mosbashkëpunimi vetëm do ta vazhdojë ankthin e familjarëve të cilët nuk e kanë asnjë minutë të qetë deri sa nuk zbardhet fati i të dashurve të tyre”, tha Hajdari.

Ajo deklaroi se krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë.

“Krimet e luftës nuk vjetërsohen dhe se kurrë nuk do të ketë amnisti për ata që kryen këto krime makabre”, tha prokurorja.

Megjithatë, ajo dha statistika nga luftërat nëpër botë nga të cilat tha se 30 për qind të të zhdukurve kanë mbetur të pazbuluar.

Në Kosovë të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 konsiderohen 1560 persona.