Prokuroria Trajton Hulumtimin e Gazetës JnK për Lushtakët

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar nga Prokurorisë Themelore të Prishtinës që të fillojë trajtimin e të gjeturave të publikuara në hulumtimin e Gazetës Jeta në Kosovë për tenderin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për sigurimin fizik.

Shkrimi i publikuar në Gazetën JnK me titullin “Kontratat e dyshimta te AKP-së me Lushtakët” tregon për kontratat e nënshkruara të AKP-së me kompaninë “Security Code” pa tender publik, si dhe për përfundimin e dyshimtë të kontratës për sigurimin fizik që ishte lidhur në shtator të vitit 2014.

Zyra e Prokurorit të Shtetit e ka njoftuar Zyrën Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova se pas marrjes se shkresës lidhur me rastin e paraqitur ne artikullin e datës 26 shtator 2016, ka autorizuar Prokurorinë Themelore të Prishtinës qe të merret me trajtimin e këtij rasti.

“Ju njoftojmë se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më datën 27.09.2016, artikullin “Kontratat e Dyshimta të AKP-së me Lushtakët”… ia ka dërguar në kompetencë prokurorisë Themelore në Prishtinë- Kryeprokurorit z. Imer Beka dhe ka kërkuar nga i njëjti që të fillojë menjëherë trajtimin e kësaj çështje penale sipas dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjën që Zyra Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova e ka pranuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Rasti për të cilin Zyra Ligjore e BIRN dhe Internews Kosova kishte dërguar shkresë në Zyrën e Prokurorit te Shtetit kishte të bënte me hulumtimin ku Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte nënshkruar tri aneks kontrata me kompaninë “Security Code”, pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës se Skenderajt, Sami Lushtaku.

AKP-ja kishte nënshkruar një kontratë dy vjeçare me “Security Code”, që përfundonte më 1 shtator 2016. Vlera e kësaj kontrate ishte 1 milion e 872 mijë euro.

Aneks kontratat në vlerë prej rreth 700 mijë eurosh ishin nënshkruar pa tender publik, duke u thirrur në kontratën e vitit 2014, të cilën kompania e sigurimit fizik e ka me AKP-në.

Tri aneks-kontrata ishin nënshkruar me kompaninë “Security Code”, pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.

“Gazeta JnK” kishte gjetur se aneks-kontrata për ofrimin e sigurimit fizik të objekteve janë nënshkruar përkundër faktit që AKP-ja dhe “Security Code” kishte kontratë valide për të njëjtën periudhë.

Kontratat e Dyshimta të AKP-së me Lushtakët