Nenad Rikalo, ministër i Bujqësisë. Foto: vesti online

Prokuroria Speciale e Kryeministri Flasin për Akuzat Ndaj Ministrit Rikalo

Prokuroria Speciale e Kosovës tha të enjten se do t’i trajtojë akuzat e transmetuara një natë më parë ndaj ministrit të Bujqësisë në qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo, për përfshirje në tortura ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1990.

Në një raport të KTV-së mbrëmë, banorë shqiptarë të një ndërtese në Prishtinë kanë shprehur pretendimet e tyre se janë torturuar nga Rikalo gjatë atyre viteve, në kohën kur thonin se Rikalo ishte pjesëtar i forcave serbe të sigurisë.

Rikalo, një zyrtar i Listës Serbe, është emëruar Ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt e cila u votua të shtunën në Kuvend.

Paraprakisht ai ka përfaqësuar për tri vjet Listën Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale tha se nuk kishte dëgjuar më parë për këto dyshime.

“Ju informoj se PSRK deri dje 13.09.2017, kur ka parë lajmet e mbrëmjes në KTV, nuk ka pasur asnjë informacion lidhur me veprimet e mundshme inkriminuese, për Nenad Rikallo, ministër i Bujqësisë në Republikën e Kosovës”, tha zëdhdnësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, do të ndërmerr veprimet e duhura në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, shtoi ajo.

Në ndërkohë, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje Prokurorisë që t’i hetojë këto akuza ndërsa kryeministrit haradinaj ta shkarkojë Rikalon.

“Po të kishte Prokurori ky shtet, dëshmitë rrëqethëse për torturat e Nenad Rikallos – pjesëtar i Beretave të Kuqe gjatë luftës në Kosovë – do të trajtoheshin qysh sot në mëngjes”, tha Abdixhiku.

“Po të kishte Qeveri ky shtet, një paramilitar me histori torturuese si kjo, as që do të ishte pjesë e kabinetit të Republikës. Shkarkimi i tij është domosdoshmëri. Pazaret e Lista Srpskas s’mund të mundin dinjitetin e viktimave shqiptare”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një deklaratë të lëshuar të enjten, tha se i ka marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999.

“Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër. Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla”, tha Haradinaj.

“Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, tha kryeministri Haradinaj.