(Arkiv) I akuzuari Zoran Vukotiq në Gjykatë - foto: KALLXO.com

Prokuroria: Shkalla e kriminalitetit të Vukotiqit kërkon llogaridhënie

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot u dha fjala përfundimtare nga ana e Prokurorisë dhe mbrojtësit e viktimave në rastin e të akuzuarit Zoran Vukotiq.

Vukotiq nga Prokuroria Speciale akuzohet për krime ndaj popullatës civile gjatë kohës së luftës në vitin 1999.

Nga tri aktakuzat e ngritura kundër tij sot në Gjykatën e Mitrovicës u dha fjala përfundimtare lidhur me rastin që kishte ndodhur më 2 dhe 3 maj 1999 në Studime të Epërme dhe të Poshtme të Vushtrrisë, e po ashtu edhe lidhur me torturat që kishin përjetuar të burgosurit në burgun e Smrekonicës.

Rreth 20 faqe ishte e gjatë fjala përfundimtare e prokurorit Paul Flynn.

Prokurori Flynn tha se ky rast ka të bëjë me vepra penale të pafalshme të të akuzuarit të kryera nga ai, apo në bashkëkryerje me të tjerët, raporton KALLXO.

Prokuroria beson që tërësia e provave lidhur me identifikimin e të akuzuarit si dhe pjesëmarrjen e tij në ngjarjet e cekura në aktakuzë, dëshmon përtej dyshimit të arsyeshëm se i akuzuari Vukotiq në kolonën e Studimes dhe më vonë në Burgun e Smrekonicës, i ka kryer krimet siç pretendohet në aktakuzë.

Më pas prokurori e pranoi ekzistimin e disa mospërputhjeve në disa pjesë të dëshmive, por në anën tjetër ai tha se këto vepra nga i akuzuari janë kryer 18 vjet më parë dhe se shumica e dëshmitarëve është dashur të japin dëshminë e tyre në rrethana të vështira dhe tronditëse.

“Njerëzit natyrshëm i harrojnë faktet për shkak të efekteve të stresit post – traumatik ose gjendjes së zemërimit të thellë që vjen nga shkarja e kujtesës, që shpesh e pengon perceptimin dhe memorizimin e fakteve“, thuhet në fjalën përfundimtare.

Prokuroria kërkon dënimin vetëm në bazë të mënyrave të ndryshme të sjelljes që janë provuar, synuar dhe ekzekutuar nga ana e të akuzuarit, raporton KALLXO.

Sipas Prokurorisë, koha e kaluar midis kryerjes së këtyre mizorive dhe këtij gjykimi, nuk e ka zvogëluar dhimbjen dhe vuajtjet e viktimave dhe as kujtimet e tyre, duke shtuar se gjatë gjykimit është parë se si dëshmitarët ende janë emocionalë në tregimin e historive të tyre të dhimbshme.

“Gjatë rrjedhës së gjykimit dëshmitarët e kanë parë të akuzuarin dhe në mënyrë bindëse e njohën si njëri nga ata që i kishte kryer këto mizori të tmerrshme në datat kritike, përkundër faktit se kanë kaluar shumë vite, duke u përmendur se në disa raste disa prej dëshmitarëve pa ndonjë dëshirë hakmarrëse flisnin mirë për të akuzuarin kur i referoheshin viteve të paraluftës, në kohën kur ai ka punuar si civil”, thuhej në fjalën përfundimtare të prokurorit të përkthyer në shqip nga përkthyesi në Gjykatë.

Tutje thuhej se i akuzuari me qëllim të ikjes nga konstatimet për fajësinë e tij, sipas prokurorisë i njëjti do të përpiqet të bindë se ka pasur një komplot të dëshmitarëve për ta akuzuar padrejtësisht, se dëshmitë e identifikimit nuk janë të besueshme dhe se dëshmitarët janë ndikuar në dëshmitë e tyre nga shumë raporte dhe fotografi të të akuzuarit që janë shfaqur në media pas arrestimit të tij.

Bazuar në fjalën përfundimtare, këtë prokuroria e konsideron argument të thjeshtë dhe të paqëndrueshëm, sidomos nëse merret parasysh se gjatë këtij rasti, sipas Prokurorisë, dëshmitarët kanë qenë përgjithësisht konsistentë kur i janë referuar përgjegjësisë së të akuzuarit.

Gjithashtu thuhej se vetëm me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj llogaridhënies mund të evitohen krimet si këto dhe të forcohet besimi në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se beson plotësisht se trupi gjykues nuk do të dështojë në detyrë dhe se drejtësia do të vendoset.

Po ashtu përmes fjalës përfundimtare, Prokuroria i është drejtuar trupit gjykues se beson që kur të tërhiqen për t’u këshilluar, përfundimisht do të konkludohet se aktakuza e Prokurorisë nuk përbën asgjë tjetër veçse synon të kërkojë llogari nga të akuzuarit, veprimet e provuara të të cilëve, sipas Prokurorisë kanë qenë të pafalshme, dhe se është në përputhje të plotë me peshën e veprave për të cilat akuzohen.

Në fund të fjalës përfundimtare po ashtu thuhej se “Prokuroria konkludon se shkalla e kriminalitetit të të akuzuarit, që tani qëndron para jush, kërkon llogaridhënie. Ata që i shpërfillin standardet universale të sjelljes së civilizuar duhet të japin llogari“.

Zoran Vukotiq po akuzohet për keqtrajtime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë në kolonën e Studimes më 2 dhe 3 maj 1999, vrasjeve dhe vuajtjeve të mëdha, torturave e rrahjeve në burgun e Smrekonicës në maj deri në qershor të vitit 1999, raporton KALLXO.

Pas prokurorit Flynn, edhe mbrojtësi i viktimave Eron Prekazi në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar që i akuzuari Zoran Vukotiq të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar sipas ligjit.

Në fjalën përfundimtare të Prekazit thuhej se aktakuza e Prokurorisë është e qëndrueshme dhe se gjatë gjykimit, nga shkresat e lëndës, provat materiale, deklaratat e dëshmitarëve dhe palëve të dëmtuara vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Shpalljen fajtor të të akuzuarit Vukotiq e ka kërkuar edhe Lumnije Mulaku, e cila në këtë rast është palë e dëmtuar.

“Unë jam motra e viktimës Xhavit Mulaku dhe djalit të axhës Ekrem Mulaku. E falënderoj Gjykatën dhe e mbështes fjalën përfundimtare të prokurorit, pajtohem edhe me fjalën përfundimtare të përfaqësuesit të viktimave. I lutem Gjykatës që t’i jap dënimin e merituar këtij që i ka kryer këto krime. Le të dënohet sipas ligjit edhe pse nuk ka dënim që s’e kish meritu me iu shqiptu”, u shpreh Mulaku.

Vukotiq e ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje dhe nuk është deklaruar fare.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Zoran Vukotiq në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale  dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Bazuar në aktakuzë  në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeçar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu,  Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxhaliu dhe Avdi Gërxhaliu.

Ai gjithashtu akuzohet se në periudhën maj deri në fillim të qershorit 1999, si një rezervist në stacionin policor në Vushtrri, si një roje burgu, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në paraburgimin e paligjshëm të një numri të madh të civilëve shqiptarë në burgun e Smrekonicës në rajonin e Mitrovicës, gjatë së cilës periudhë këta civilë iu ekspozuan qëllimisht trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve për të cilat i akuzuari Zoran Vukotiq mban përgjegjësi personalisht.

Seanca e radhës u caktua më 23 maj, kur pritet të japë fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokati Nebojsha Vlajiq.

KALLXO ka përcjell në vazhdimësi gjykimin e Zoran Vukotiq.