Dafina Zhubi

Prokuroria Rinis Hetimet për Vdekjen e Dafina Zhubit

Lumezi tha se pasi një institut nga Zvicra ka kontestuar konstatimin e prokurorisë, e njëjta ka nxjerrë vendimin për fillimin e hetimeve.

“Prokuroria Themelore e Prishtinës është në fazën e hetimit në rastin ku viktimë është Dafina Zhubi. Prokuroria ka nxjerrë një vendim për fillimin e hetimeve dhe në bazë të provave që i kemi në shkresat e lëndës, jemi duke e hetuar personin e dyshuar për veprën penale të vrasjes”, tha Lumezi sot në një konferencë për shtyp ku prezantoi raportin vjetor të Prokurorisë së Shtetit.

Dafina Zhubi u gjet e vrarë më 17 shkurt të vitit të kaluar në Prishtinë në banesën e Astrit Dibrës, i cili pas disa muajsh në paraburgim, ishte liruar meqë prokurorja e rastit kishte konstatuar se Zhubi kishte kryer vetëvrasje.

Javën e kaluar, gazeta online Insajderi publikoi rezultatet e ekspertizës së institutit zviceran “Forensicons” me të cilën konstatonte se Zhubi nuk ka kryer vetëvrasje por është vrarë.

“Jemi duke e hetuar personin e dyshuar për veprën penale të vrasjes”, tha Lumezi sot para gazetarëve.

Ai tha se Prokuroria i ka dhënë përfaqësuesve ligjorë të prindërve të viktimës të gjitha dokumentet rreth rastit për ta kryer këtë ekspertizë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë konferencës për shtyp. Foto: Kallxo.com

“Mendimi i ekspertëve është diametralisht i kundërt me mendimet të cilat janë dhënë në Kosovë dhe kjo është arsyeja që Prokuroria e Shtetit do të kërkojë edhe një superekspertizë dhe këtë do ta bëjmë pavarësisht se do të kushtojë kjo superekpertizë. Ju siguroj se ky rast nuk është mbyllur, por është nxjerrë aktvendimi për fillimin e hetimeve”, tha Lumezi.

Aktualisht, Astrit Dibra është nën masën e paraqitjes në stacion policor.

“Nëse vërtetohet se personi konkret e ka kryer veprën penale të vrasjes dhe nëse këtë e tregojnë provat, ne do ta ngritim aktakuzën dhe në aktin akuzues do të kërkojmë që personi i dyshuar të paraburgoset deri në marrjen e vendimit definitiv nga gjykata kompetente”, tha ai.

Lumëzi tha se është në dijeni për besimin e ulët të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, por duke paraqitur shifra të punës së Prokurorisë së Shtetit gjatë vitit të kaluar, ai foli për një performansë në rritje të këtij institucioni.