Prokuroria Pretendon se Dhunimi Çoi në Vetëvrasjen e Vajzës

Seanca gjyqësore për këtë rast, e cila ishte paraparë të mbahej me 9 shkurt 2017 është shtyrë në mungesë të prokurorit të çështjes.

Gjykatësja nuk e dinte arsyen e mosardhjes së prokurorit.

“Prokurori nuk e ka arsyetuar mungesën”, tha gjykatësja Nora Bllaca-Dula.

Prokuroria e Shtetit pretendon se në dhjetorin e vitit 2001, viktima ishte dhunuar nga dy banorë të Drenasit. Gjashtë ditë më vonë ajo kishte pirë helm dhe siç shkruhet në aktakuzë e ndjera nuk i kishte mbijetuar helmimit duke ndërruar jetë më 12 janar 2002.

Dy të akuzuarit Sh.R. dhe B.M. nga Koretica që në atë kohë ishin 24 vjeçarë, akuzohen se mbrëmjen e 19 dhjetorit 2001 e kishin marrë viktimën dhe e kishin dërguar në një shtëpi ku nën kërcënimin e forcës e kishin obliguar të kryente marrëdhënie seksuale.

Aktakuza e prokurorisë e ngritur në vitin 2003 pretendon se të dyshuarit e kishin kërcënuar viktimën se nëse do e raportonte ngjarjen ajo do kishte pasoja.

“Për shkak të depresionit, e ndjera ka pirë helm-herbicid, ndërsa më 12 janar 2002, ka ndërruar jetë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë”, thuhet në aktakuzë.

Dy të pandehurit në mbrojtjen e dhënë në hetuesi e kanë mohuar kryerjen e veprës penale, duke shtuar se tani e ndjera kishte shkuar me dëshirë në banesën e njërit nga të akuzuarit.

Procesi gjyqësor për ngjarjen e rëndë është gjykuar për disa herë radhazi për t’u rikthyer në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës.