Prokuroria po Grumbullon Informata për Vdekjet e Dyshimta

Prokuroria ka nisur mbledhjen e informatave pas raportimeve të kohëve të fundit për vdekje të dyshimta në QKUK.

“Prokuroria është në fazën fillestare të grumbullimit të informatave dhe varësisht nga përmbajtja e tyre do të marrim veprimet e nevojshme” tha për KALLXO.com Armend Hamiti, prokurori që po merret me këto raste.

Hamiti më tutje deklaroi se pas mbledhjes së informacioneve mund të pasojnë edhe veprime tjera.

“Hetuesit janë autorizuar dje për grumbullimin e informacionit dhe sapo te kemi pranuar një raport nga ta do të ndërmarrim veprimet tjera”, tha Hamiti.

Prokurori pastaj sqaroi se nuk mund të japë informata tjera.

“Asnjë informacion më shumë nuk mund të jap në këtë fazë kaq fillestare të hetimeve”, tregoi Hamiti për KALLXO.com.

Ngjashëm foli edhe kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka.

“Prokuroria ka fillu punën, tash duhet me pritë. Dje i është dërgu ni autorizim policisë tash presim përgjigje. Ende nuk është marrë ndonjë vendim për trupat e pajetë”, tha Beka për KALLXO.com.

Ndërsa drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu tha për KALLXO.com se trupat e pajetë të vdekjeve të dyshimta të kohëve të fundit në QKUK, nuk janë dërguar për obduksion.

“Asnjëri nga ato raste nuk është sjellë për autopsinë Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Gërxhaliu.

Policia në raportin e saj të përditshëm, njoftoi se edhe dje një person e ka lajmëruar te forcat e rendit vdekjen e dyshimtë të bashkëshortes që ishte paciente në QKUK.

http://kallxo.com/vdekje-e-dyshimte-ne-qkuk/

Ndërsa sot ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli tha se për këto vdekje të dyshimta që nga dje ka autorizuar inspektoratet e ministrisë për të hetuar rrethanat në të cilat ndodhën këto vdekje.

http://kallxo.com/ministri-deklarohet-per-vdekjet-e-dyshimta-ne-qkuk/

Dje nëpërmjet rrjetit social Facebook kryetari i Partisë Fjala Gëzim Kelmendi tregoi se djali dymuajsh i vëllait të tij vdiq gjatë vikendit për shkak të vonesave në intervenim, ndërsa paralajmëroi ndjekje ligjore të përgjegjësve.

Gëzim Kelmendi tha për KALLXO.com se foshnja e vëllait të tij është varrosur, ndërsa tregoi se si ajo vdiq.

“Të dielën në mbrëmje me 10 shtator i është paraqitë një çrregullim ku edhe është ftuar kirurgu i fëmijëve në 10:30 të mbrëmjes dhe ka urdhëru me u operu në mënyrë urgjente, derisa këta është dashtë me pritë deri të nesërmen në 10:30 të ditës, do të thotë 12 orë”, shpjegoi Kelmendi.

Ish-deputeti që edhe vetë është specialist i kirurgjisë maksilofaciale dhe ka kryer Fakultetin e Stomatologjisë, deklaroi për KALLXO se sallat tjera ishin të mbyllura.

“Nuk ka pasë salla të lira përderisa aty janë me dhjetëra salla operative. Sallat tjera kanë qenë të mbyllura, vetëm një e lirë dhe ka qenë e zënë me raste tjera. E pse me u mbyllë në vikend? Problemi ka qenë te vonesa dhe unë e fajësoj menaxhmentin e QKUK- së”, tha Gëzim Kelmendi.