Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Prokuroria nuk Hyn në Marrëveshje për Pranim Fajësie

Prokuroria nuk hyri në marrëveshje për pranim fajësie me të akuzuarin për narkotikë Vllaznim Hoxha.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj, njoftoi gjykatën se nuk ka arritur marrëveshje me prokurorinë.

“Dje kam kuptuar, prokurori i çështjes verbalisht më ka komunikuar se prokuroria nuk janë të gatshëm të hyjnë në negocim pa dhënë ndonjë arsye, ose pse nuk mund të bëhet një gjë e tillë”, tha Qelaj.

Qelaj kërkoi që seanca të shtyhej, derisa prokuroria t’i tregojë arsyet pse nuk hyri në marrëveshje për pranim fajësie me të mbrojturin e tij.

Prokurorja Ervehe Gashi tha në gjykatë se duhet të vazhdojë seanca fillestare e këtij gjykimi.

“Qëllimi i lidhjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë është përfitimi i dyanshëm. Përfitimi i prokurorisë, marrja e informatave, provave, veprës penale, si për të parën ashtu edhe për veprën e dytë penale. Nga analizimi i deklaratës së të akuzuarit prokuroria nuk mund ta ketë këtë përfitim nga i akuzuari”, tha prokurorja Gashi.

Prokurorja tha se marrëveshja ose lidhet për çështjen në tërësi, ose nuk lidhte fare, duke treguar se ishte lënë jashtë marrëveshjes çështja e konfiskimeve përfundimtare.

Më pas u lexua aktakuza, ndërsa i akuzuari Vllaznim Hoxha u deklarua i pafajshëm për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Seanca tjetër do të mbahet më 4 korrik.

Vllaznim Hoxha akuzohet nga prokuroria se automjetin e tij të tipit “Jaguar” kishte sjellë nga Shqipëria në Kosovë substanca narkotike.

Më datë 31 gusht 2016 këtë substancë ia ofron për shitje personit me emrin E. Të cilën gjatë bastisjes së shtëpisë, policia e konfiskon në një sasi të përgjithshme prej 672.69 gramë.

Sipas veprimeve të lartcekura, prokruroia e ngarkon të akuzuarin me kryerje të veprës penale për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Po ashtu të akuzuarit Vllanim Hoxhaj, më datë 01 shtator 2016, në shtëpinë e tij gjatë një kontrolli nga ana e policisë i është gjetur një revole e tipit TT me nëntë fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe 800 kapsolla ndezëse për eksploziv.

Me këtë prokuroria e ngarkon për kryerje të veprës penale të armëmbajtjes pa leje.