Prokuroria Nuk e Di Motivin e Përleshjes së Armatosur në Tetovë

Në një incident të armatosur mbrëmë në mes dy grupeve, që ndodhi mbrëmë rreth orës 18:20 në Reçicë të Vogël në Maqedoni, mbeti i vrarë Naip Rexhepi, 46 vjeç vendngjarje  kurse u plagos vëllai tij Sabit Rexhepi, 41 vjeç, dhe nga grupi tjetër Florim Misini, 22 vjeç, të gjithë nga rrethi i Kumanovës. Nga Spitali i Tetovës njoftojnë se Sabiti vazhdon të mbahet në ekzaminim mjekësor, por është jashtë rrezikut për jetë, kurse Florimi mbrëmë është dërguar në Qendrën urgjente kirurgjikale në Shkup.

“Dje rreth orës 19.30 në qendrën urgjente kirurgjikale është sjell një pacient me lëndime nga arme zjarrit, në pjesën e aksiles së majtë. Pas ekzaminimeve është konstatuar lëndim i enëve të gjakut të sqetullës së majtë, të njëjtat janë trajtuar me ndërhyrje kirurgjikale. Pas ndërhyrjes gjendja e pacientit është stabile, por vazhdon të mbahet nën kujdesin intensiv mjekësorë”, tha Albert Lleshi, drejtor i Qendrës urgjente, shkruan tv21.tv.

Nga MPB njoftuan se pak minuta pas ngjarjes u arrestuan edhe dy persona, Bekim Rexhepi 41 vjeç dhe L.B. 40 vjeç nga Elbasani i Shqipërisë për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tyre në këtë ngjarje. Por, nuk bëjnë të ditur edhe identitetin e dy të tjerëve dhe se a ka persona tjerë të arratisur që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë konflikt.

“Lidhur me këtë ngjarje, të arrestuar janë katër persona, dhe janë duke u ndërmarrë masa plotësuese për zbardhjen e këtij rasti”, tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Policia njoftoi se në veturën e tyre u gjetën dy pistoleta, të cilat janë konfiskuar për ekspertizë ligjore.

“Prokurori publik dhe ekipi i SPB-së Tetovë kanë bërë kontroll në vendin e ngjarjes, gjatë të cilit janë gjetur gjurmë gjaku, tetë fishekë të pistoletës, një plumb i pa shkrepur nga municioni të armëve, tre gëzhoja plumbash dhe një shkop bejsbolli”, thanë nga MPB.

Nga organi i hetuesisë thonë se ende nuk janë të njohura shkaqet e konfliktit, por njoftojnë se po punohet në disa pista të dyshimta. Prokurori publik kujdestar mbrëmë në vendngjarje, mori masa për kryerjen e ekspertizave ligjore.

“Prokurori publik ka dhënë urdhër për sigurimin dhe mbledhjen e gjurmëve në vendin e ngjarjes që do të jenë subjekt i një ekspertize. Është dhënë urdhër edhe për analizimin e profileve të ADN-së, për obduksionin e personit të vdekur, si dhe për marrjen e gjurmëve të parafinës nga dorasit. Veprimet e Prokurorisë Publike Themelore-Tetovë po vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes”, nga Prokuroria Themelore Publike.

Përleshja e mbrëmshme me armë zjarri, ndodhi qindra metra larg Selisë qendrore të BDI-së në Reçicë të Vogël. Sipas familjarëve të dy grupeve të përfshira në konflikt, dyshohet se motivet kanë qenë mosmarrëveshjet në ndarjen e posteve të kësaj partie për Degën e Kumanovës. Por, nga ky subjekt politik u distancuan nga konflikti në fjalë, duke kumtuar se nuk mbajnë përgjegjësi, siç thonë, për incidentet eventuale që nuk kanë të bëjnë më BDI-në.

Për motive të ngjashme në vitin 2015 u vra edhe Xhemail Rexhep, ose siç njihet komandant Shqiponja, i cili ishte zgjedhur kryetar i degës së BDI-së në Kumanovë.

06 Prill 2018 - 18:57

21Media 06/04/2018 - 18:57
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend