Prokuroria Ka edhe 6 Muaj Kohë

Prokurorit të EULEX-it, Danilo Ceccarrelit, do t’i duhet që hetimet për rastin e pronave t’i përmbyll brenda gjashtë muajve.

Konkretisht, deri më 30 tetor të këtij viti ai ose duhet t’i përmbyll hetimet ose duhet të ngritë aktakuzë ndaj personave të përfshirë në hetime.

KALLXO.com vëren se aktvendimi për fillimin e hetimeve kundër Azem Sylës dhe 10 prej personave të përfshirë në këtë rast mban datën 30 prill 2014.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, neni 159, më konkretisht paragrafi i parë i këtij neni përcakton se hetimi i filluar duhet të përmbyllet brenda dy viteve me ngritjen e aktakuzës, në të kundërtën hetimet duhet të pushohen.

Por, paragrafi dy i nenit 159, përcakton se gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë një hetim deri në gjashtë muaj të tjerë në rastet kur hetimi është i ndërlikuar, ka më shumë se katër të pandehur, është përdorur ndihma juridike ndërkombëtare dhe rrethana të tjera që e bëjnë hetimin të ndërlikuar.

Pikërisht atë që e sanksionon ky paragraf duket se prokurori Danilo Ceccarrelli e ka kërkuar vazhdimin e hetimit dhe me datë1 prill të këtij viti gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar vazhdimin e hetimeve edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Vazhdimin e hetimeve për gjashtë muajt e fundit, për KALLXO.com e ka konfirmuar, avokati i Nuhi Ukës, Tahir Rrecaj.

“Prokurori e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të kërkuar zgjatjen e afatit të hetimeve edhe për gjashtë muaj të tjerë dhe përveç nëse nuk pezullohen hetimet, ato duhet të përmbyllen brenda këtij afati”, tha Rrecaj për KALLXO.com

Avokati Rrecaj nuk deshi të komentojë nëse prokurori i EULEX-it do t’ia arrijë të përfundojë hetimet e tij, duke pasur parasysh që në aktvendimin për fillimin e hetimeve janë përfshirë 50 të dyshuar.

Hetimi i nisur nga Ceccarelli në fund të prillit të vitit 2014 rezultoi me aksionin e ditës së djeshme, gjatë të cilit u bastisën 42 lokacione nëpër Kosovë, ndër të tjera edhe prona e deputetit të PDK-së, Azem Sylës.

Aksioni ku u përfshinë rreth 350 policë rezultoi me arrestimin e gjashtë personave, ndaj të cilëve sot u caktua masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndërsa në aktvendimin për fillimin e hetimeve janë të përfshirë 52 persona.

Ky hetim ka të bëjë me shpronësimin e tokave shoqërore në rrethinën e Çagllavicës dhe dëmet e pretenduara nga prokuroria janë milionëshe.