Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Prokuroria Heq “Haraushamin” nga Aktakuza për Terrorizëm

Gati katër vjet i janë dashur Prokurorisë Speciale të Kosovës që të përmirësojë gabimin në aktakuzën që i ngarkon dy persona për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Një aktakuzë e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzon Arben Livorekën dhe Nexhat Behlulin se kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë në krahë të organizatave terroriste.

Behluli dhe Livoreka kishin pranuar fajësinë dhe ishin dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj burg, ndërsa kishin tërhequr pranimin e fajësisë në Gjykatën e Apelit, gjykatë kjo që e riktheu në rigjykim këtë rast, pasi evidentoi një varg shkeljesh.

KALLXO.com kishte raportuar se organizata terroriste për të cilën prokuroria pretendonte se quhet “Harausham”, në fakt nuk ekzistonte.

Duke u interesuar lidhur me ekzistencën e kësaj organizate KALLXO.com dërgoi pyetje në disa institucione relevante për të ditur më shumë për organizatën “Harausham”, por u përball me heshtjen e këtyre institucioneve.

‘Harausham’ Mbetet Mister për Prokurorinë

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, prokurori i ri i kësaj çështje, Elez Blakaj tha se ka një precizim për të bërë.

“Në çdo vend në aktakuzë ku është e shkruar ‘Harausham”, kërkojmë që të përmirësohet në ‘Ahrah al Sham’”, tha Blakaj.

Blakaj e arsyetoi këtë propozim me faktin se emri “Harausham”, është përkthyer nga anglishtja nga lista e organizatave terroriste.

Edhe pas këtij ndryshimi dhe leximit të aktakuzës, të dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, ndërsa avokati, Muhamet Humolli tha se ka pritur nga prokurori që të tërhiqet nga aktakuza.

Seanca e radhës në këtë rast u caktua për muajin shtator.

Sipas aktakuzës së paprecizuar të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arben Livoreka më 28 nëntor të vitit 2013 nga Aeroporti “Adem Jashari” udhëtoi për në Stamboll dhe më pas kaloi në Siri ku u bashkua me grupin “Harausham” që ka vepruar në kuadër të Al-Nusras, ku ka qëndruar për dy muaj e gjysmë.

Ai ishte kthyer në Kosovë menjëherë pasi kishte plasur konflikti meqë ISIS kishte dashur të marrë nën komandën e tyre këtë organizatë.

Edhe i akuzuari tjetër, Nexhat Behluli, sipas aktakuzës më 9 mars 2013 i është bashkangjitur organizatës Al-Nusra por pasi kanë lindur konfliktet mes tyre është kthyer në Kosovë me 30 mars të atij viti.

Shkrimet për këtë gjykim mund t’i lexoni këtu.