Foto-ilustrim

Prokuroria e Policia Gabojnë Emrin e Biznesit në Aktakuzë

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbuluar se Prokuroria dhe Policia e Prishtinës kanë huqur adresën e saktë të një vendi ku është kryer një krim, duke paraqitur vend të krimit një biznes i cili nuk ekziston fare në Kosovë.

Në janar të 2017-tës në njërin nga lokalet e Prishtinës kishte ndodhur një plagosje me armë zjarri.

E në dosjet e Policisë dhe Prokurorisë ngjarja është treguar të ketë ndodhur në një biznes i cili nuk është i regjistruar në ARBK dhe i cili nuk ekziston me atë emër në atë rrugë.

Në janar të 2017 në klubin “Maroon pub” kishte ndodhur një plagosje.

Një punonjës sigurimi ishte plagosu mëngjesin e 20 janarit pas një mosmarrëveshjeje.

Ngjarjet tutje tregojnë se Policia e Kosovës në tërë dokumentacionin e saj i ishte shmangur emrit origjinal të biznesit duke përdorur emrin “Moron” e jo emrin e biznesit ku kishte ndodhur ngjarja.

http://kallxo.com/gjykimi-per-tentimvrasje-ne-moron-deshmojne-klientet-e-klubit/

KALLXO.com ka vërejtur se gabimi i parë ishte bërë në kallëzimin penal të Policisë.

Të pyetur për këtë gabim, zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk kanë pranuar të japin sqarime për motivin që i ka shtyrë Policinë të largojë një “O” nga kallëzimi penal.

Gabimet në përshkrimin e vendit ku ka ndodhur ngjarja janë pasuar edhe në aktakuzën e Prokurorisë së shtetit.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Prishtinës prokurori tenton në dy raste ta përshkruajë emrin e biznesit por në të dyja gabimisht.

“Më dt. 20.01.2017, rreth orës 04:00, në Prishtinë, në rr. ‘Fehmi Agani’, saktësisht në klubin e natës ‘Moron’ në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje me punëtorët e klubit të natës ‘Moroon’…”, shkruhet në aktakuzë.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarin për informim të Prokurorisë, Ekrem Luftiu, për të kërkuar sqarime se a bëhet fjalë për lokalin e njëjtë.

“Sipas  shkresave të lëndës ky lokal gjendet në Prishtinë, në rr. ’Fehmi Agani’ dhe është po i njëjti  lokal ‘MaroonPub’”, është përgjigjur fillimisht Lutfiu.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime të tjera për gabimet por të njëjtit janë sqaruar se provat tjera e dëshmojnë se është po ai lokal.

“Në aktakuzë është e shënuar, vendi ku ka ndodhur rasti,  kështu: “ në Prishtinë, në Rr.”Fehmi Agani”,saktësisht në klubin e natës “Maroon” ,  sipas kësaj nuk ka vend të supozuar ashtu siç pretendoni ju, sepse në shkresat e lëndës  kemi: raportin e këqyrjes së  vendit të ngjarjes dhe fotodokumentacionit, nuk ka çka vërtetohet këtu vendi i ngjarjes, sepse i njëjti me kohë ka qenë i vërtetuar”, ka replikuar Lutfiu.

Gabimet teknike apo ato në drejtshkrim, shpeshherë kanë prolonguar procesin gjyqësor.

Këto gabime jo vetëm që kanë prolonguar procesin gjyqësor, por madje në një rast edhe e kanë kthyer atë në rigjykim.

Fjala është për procesin gjyqësor të ashtuquajtur “Harausham”, kjo e fundit sipas prokurorisë organizatë terroriste, e cila më vonë doli të jetë fjala për organizatën “Ahral Al Sham”.

Ky rast i cili edhe në media u bë i njohur si rasti “Harausham”, për shkak të gabimit të Prokurorisë që në aktakuzë kishin pretendime se të akuzuarit i ishin bashkuar një organizate për të cilin BIRN zbuloi se në fakt nuk ekzistonte.

Fillimisht dy të akuzuarit e këtij rasti, Nehxhat Behluli dhe Arben Livoreka, kishin pranuar fajësinë dhe ishin dënuar në total prej 42 muajve burgim, por që më pas gjatë shqyrtimit të dënimin në Gjykatën e Apelit kishin revokuar pranimin e fajësisë.

Avokatja Hedije Ademi, mbrojtëse e të akuzuarit Nexhat Behluli kishte komunikuar në gjykatore se deri tek tërheqja e pranimit të fajësisë ka ardhur pas hulumtimit të gazetarëve të cilët kishin konstatuar se organizata “Harausham” nuk është organizatë terroriste.

“Një hulumtim i gazetarëve të cilët kanë hulumtuar dhe kanë siguruar që organizata  ‘Harausham’ nuk është  organizatë terroriste, andaj Gjykatës se Apelit i propozoj që ta ndryshojë sanksionin penal ndaj të mbrojturit tim apo lëndën ta kthejë në rigjykim”, kishte thënë avokatja Ademi.

“Nëse vërtetohet që organizata ‘Harausham’ në të vërtetë nuk ekziston, kjo do të ishte shumë keq sepse do të thotë se janë dënuar njerëz ta pafajshëm. Gjithmonë nëse vërtetohet se nuk ekziston, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme të Kosovës”, tha Ademi.

Organizata Terroriste Fantazmë Trazon Gjyqësorin Kosovar

Gjykata e Apelit më pas e ktheu rastin në rigjykim për shkak të një varg shkeljesh.

Termi “Harausham”, që iu referohej një organizate joekzistuese terroriste, më pas u përmirësua nga Prokuroria Speciale.

Prokurori special i çështjes kishte arsyetuar këtë propozim me faktin se emri “Harausham” është përkthyer nga anglishtja nga lista e organizatave terroriste.

Gati katër vjet i janë dashur Prokurorisë Speciale të Kosovës që të përmirësojë këtë gabimi në aktakuzën që i ngarkonte dy persona për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Kthimi e rastit në rigjykim nga 42 muaj burg në total, i kushtoi Arben Livorekës vetëm me dy vjet burgim me kusht, ndërkaq për Nehxhat Behlulin  prokurori special u tërhoq nga akuza.