Prokuroria e Ministria Bashkë Kundër Krimit

Ministrja e re e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kanë diskutuar sot për shumë çështje të fushës së drejtësisë dhe për veprimet e përbashkëta që do t’i ndërmarrin në ditët në vijim.

Ministrja Hoxha tha se me Prokurorinë do të bashkëpunojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kemi një koordinim, një bashkëpunim, që të luftojmë ose të fuqizojmë edhe më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Hoxha.

Ndërsa Kryeprokurori i Shtetit tha se biseda me ministren e re ishte për mënyrën e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes këtyre dy institucioneve për të luftuar krimin, terrorizmin dhe korrupsionin.

“Gjatë bisedës me ministren e re të drejtësisë biseduam që të vazhdojmë punën që kemi pasur deri më tani me ish-ministrin do të vazhdojmë edhe me ministren e re. Ne shpresojmë se do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë, të cilin e kemi pasur deri më tani me qëllim që të kemi rezultate sa më të mira në luftën kundër dukurive, e sidomos në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar, terrorizmit dhe dukurive të tjera”, tha Lumezi.

I pyetur se si e vlerëson kërkesën e Ambasadës turke për dënimin e gazetarit Berat Buzhala për komentet e tij rreth tentim-puçit në Turqi, Lumezi tha se ato komente nuk kanë elemente të veprës penale.

“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor dhe nëse e shohim që ka ndonjë element të ndonjë vepre penale sigurisht që ne do të kyçemi, por sa e kam parë unë nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale dhe nuk janë çështje e Prokurorisë së Shtetit këto probleme të cilat janë shfaqur mes një mediumi, faktikisht një gazetari, dhe Ambasadës turke”, tha Lumezi.

Dhurata Hoxha është emëruar ministre më 13 korrik. Ajo e ka zëvendësuar në këtë post Hajredin Kuçin, i cili mbetet vetëm zëvendëskryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.