Vendi ku mina tokësore vrau ushtarët e NATO-s dhe një civil në vitin 2003. Foto arkiv.

Prokuroria e Maqedonisë Heq Dorë nga Ndjekja e Shqiptarëve në Rastin 'Sopoti'

Prokuroria Speciale e Maqedonisë njoftoi sot se ka rrëzuar të gjitha akuzat kundër 11 shqiptarëve, banorë të fshatit verilindor të Sopotit, të cilët po rigjykoheshin nën dyshimet për vendosjen e një mine në vitin 2003 që vrau dy ushtarë polakë të NATO-s dhe një civil maqedonas.

“Pas një analize të plotë, kemi vendosur se do të ishte e drejtë të rrëzojmë të gjitha akuzat sot për shkak të mungesës së provave,” tha kryeprokurorja speciale Katica Janeva për mediat para Gjykatës Penale të Shkupit.

Janeva shpjegoi se Prokuroria Speciale përcaktoi se e gjithë çështja, një nga më të gjatat në historinë e sistemit gjyqësor të Maqedonisë, ishte bazuar në një dëshmitar të vetëm, Ramadan Bajrami, i cili ishte detyruar nga autoritetet të jepte dëshminë e tij.

Shpjegimi i saj bie dakord me atë që avokatët mbrojtës kanë pretenduar gjatë gjithë kohës.

“Ne kemi këmbëngulur për 14 vjet me radhë se ata persona janë të pafajshëm,” tha një nga avokatët mbrojtës për mediat.

Janeva megjithatë shtoi se Prokuroria Speciale nuk planifikon ta mbyllë plotësisht çështjen dhe tani ka një tjetër teori rreth incidentit që planifikon ta hetojë më tej.

Mbrojtja tha se do të kërkojë dëmshpërblime për klientët e saj që kanë kaluar shumë vite në burg dhe nëpër gjykata.

Shpërthimi i minës në Sopot ndodhi në vitin 2003, kur Maqedonia ishte ende duke u rikuperuar nga konflikti i armatosur i vitit 2001 midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.

Pas një gjyqi shumë të gjatë, 12 të pandehurit fillimisht u dënuan në mars 2010 në një total prej 150 vjetësh burg, por pas ankesave të partive politike shqiptare të Maqedonisë, një komision parlamentar vendosi se gjatë gjyqit kishte pasur disa lëshime.

Vendimi i komisionit parlamentar mbështetej në një kërkesë nga një prej të pandehurve, Ramadan Bajrami, që ai rrëfeu pasi u torturua nga policia.

Kjo bëri që gjykata të urdhëronte një gjykim të ri, i cili fillimisht duhet të fillonte në vitin 2011.

Deri në vitin 2016, një nga 12 të pandehurit fillestar kishte vdekur.

Partitë politike shqiptare e kanë kritikuar çështjen Sopoti dhe disa të tjera si shembuj të padrejtësisë ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Prokuroria Speciale e mori përsipër rastin nga prokuroria normale në korrik të vitit të kaluar, bazuar në faktin se ishte përmendur nga zyrtarët e lartë në përgjimet e paligjshme që ajo kishte për detyrë të hetonte.

Prokuroria Speciale u ngrit në vitin 2015 për të hetuar krimet e dyshuara të nivelit të lartë, të cilat dolën në dritë në bisedat e përgjuara që u bënë publike nga opozita e atëhershme e Socialdemokratëve më herët atë vit.