Prokuroria e Hagës Apelon Ndaj Vendimit të Sheshelit

Prokuroria i kërkoi dhomës së apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të hënën ose të rrëzojë vendimin për lirimin e Sheshelit nga akuzat, të korrigjojë ato që ajo pretendoi se ishin gabime në vendim dhe të dënojë politikanin nacionalist, ose ta dërgojë çështjen për rigjykim.

Më 31 mars, gjykata e liroi nga të gjitha akuzat Sheshelin, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte që dyshohen të jenë kryer gjatë vitit 1990 në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, duke thënë se prokuroria nuk arriti të vërtetonte çështjen e saj.

Por në njoftimin e saj në gjykatë, prokuroria përmendi dy arsye kryesore për apelin e saj – se “trupi gjykues ka gabuar në ligj duke mos arritur të japë një vendim të arsyetuar” dhe së dyti se “trupi gjykues gaboi në fakt duke e liruar të pandehurin nga akuzat”.

Prokuroria tha se pavarësisht vendimit në fuqi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të dënuar Sheshelin, i pandehuri ishte pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale që synon krijimin e një “Serbie të Madhe” dhe dëbimin e të gjithë jo-serbëve. Ai nxiti gjithashtu edhe shumë krime të tjera, si edhe shkeli shumë ligje të luftës.

Gjykimi në mars tha se prokuroria nuk arriti të tregonte një lidhje konkrete mes fjalimeve nacionaliste të Sheshelit dhe krimeve të kryera në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi.

Ajo tha gjithashtu se prokuroria nuk arriti të vërtetojë se ka pasur një sulm të gjerë dhe sistematik të civilëve jo-serbë gjatë periudhës së aktakuzës.

Ajo më tej vendosi se projekti i Sheshelit për të krijuar një “Serbi të Madhe” ishte një plan politik, jo penal, dhe se kishte “baza të arsyeshme” për të thënë se ngritja e tij e paraushtarakëve vullnetarë ishte për të “mbrojtur civilët”.

Ai i Sheshelit ishte vendimi i parë që u dha nga Gjykata e Hagës pa të akuzuarin të pranishëm në sallën e gjyqit që ta dëgjonte atë.

Lideri i Partisë Radikale ka ndenjur që Beograd që kur iu dha lirimi i përkohshëm nga paraburgimi në Hagë në nëntor 2014 për shkaqe humanitare që të kurohej nga kanceri.

Që prej lirimit të tij, ai ka udhëhequr protesta dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës dhe ka refuzuar vazhdimisht të rikthehet në Hagë për gjykimin e tij.

Ai arriti gjithashtu të siguronte rikthimin e partisë së tij në parlamentin serb pasi fitoi tetë për qind të votave në zgjedhjet e 24 prillit.

Lirimi i tij nga akuzat shkaktoi reagime të zemëruara në Kroacinë fqinje dhe bëri që midis zyrtarëve nga Zagrebi dhe Beogradi të shkëmbeheshin fjalë të ashpra.

Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviq ndërkohë i apeloi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, që të rrëzohej vendimi për lirimin e tij nga akuzat.

Shumë grupe të të drejtave të njeriut dhe ekspertë ligjorë ndërkombëtarë, përfshirë International Bar Association, vunë gjithashtu në pikëpyetje vendimin e dhënë.

Vendimi për Sheshelin do të dëgjohet para Mekanizmit për Gjykatat Ndërkombëtare, MICT, i cili do të plotësojë punën e mbetur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, sepse gjykata e OKB-së po mbyllet.