Ushtruesja e detyrës së drejtores Elida Bejtullahu | Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Gjakovës Ngre Aktakuzë ndaj Elida Bejtullahut

Është ngritur aktakuzë ndaj Elida Bejtullahut, ushtrueses së detyrës së drejtores në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të Komunës së Gjakovës.

Aktakuza të cilën e ka siguruar KALLXO.com lidhet me refuzimin që Bejtullahu i ka bërë lejes së ndërtimit të një objekti banesor në pronën e Hasan Berishës.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Elida Bejtullahu tha se nuk ka njohuri se ndaj saj është ngritur aktakuzë.

“Këtë informatë po e marr tani përmes jush. Mua askush nuk më ka informuar zyrtarisht që jam e akuzuar. Kam pasë ftesë nga prokuroria dhe jam intervistuar për një rast që ka të bëjë me leje ndërtimi, por më shumë nuk jam në dijeni,” tha Bejtullahu.

Prokuroria akuzon Bejtullahun se refuzoi lejen e ndërtimit të Hasan Berishës me qëllim të përfitimit pasuror, edhe pse ai i plotësoi kriteret për të.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare, në atë mënyrë që I dëmtuari Hasan Berisha ka aplikuar pranë Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit-DUMM. Juristi i kësaj drejtorie Zenel Shabani lëshoi Aktvendimin 07/351……të nënshkruar nga e pandehura Elida Bejtullahu U.D. së drejtorit të kësaj drejtorie, e me të cilën ia refuzon të dëmtuarit kushtet për ndërtim,” thuhet në aktakuzë.

Aktakuza precizon se vendimi i nënshkruar nga Bejtullahu u mor pasi kundër ndërtimit të objektit banesor nga Hasan Berisha u deklaruan me një peticion gjashtë nga fqinjët e tij.

Në aktakuzë përmendet edhe vendimi i pazbatuar në afatet e përcaktuara ligjore të Ministrisë së Ambientit që kërkon “të shfuqizohet aktvendimi i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Gjakovë dhe lënda të rishqyrtohet”.

Hasan Berisha për refuzimin e lejes së ndërtimit foli edhe për KALLXO.com më 29 nëntor kur tha se nuk po i lejohet ndërtimi pasi sipas tij e denoncoi më herët korrupsionin.

http://kallxo.com/denoncuesit-te-korrupsionit-refuzohet-ndertimi/

Berisha kishte denoncuar gjeodetin Skender Sina për marrje të 20 mijë eurove mitë për përkthimin e disa pronave që Berisha i kishte blerë më herët. Sina pastaj u lirua nga akuzat.

http://kallxo.com/pas-10-viteve-gjykim-lirohet-skender-sina/