Prokuroria: Dosja e Lumezit Është në Rregull

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha sot se dosja e provimit të jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është konform procedurave dhe dispozitave të dhënies së këtij provimi.

Kjo prokurori tha se e ka përfunduar procesin e grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe fakteve të nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, se dosja e provimit të jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është e falsifikuar.

Hetimin e këtij rasti e ka bërë një prokuror vendor nën monitorimin e vazhdueshëm të një prokurori të EULEX-it.

“Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e z. Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë në Prishtinë.

Sipas saj, gjetjet përfundimtare të hetimit zyrtar lidhur me këtë rast janë se dosja e Lumezit për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi dhe se Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës.

Sipas Prokurorisë gabimet administrative-teknike në regjistrat zyrtarë si dhe mënyrat e atëhershme manuale e jo të përsosura për korrigjimin e tyre, siç ishte përdorimi i llakut të bardhë për korrigjimet në tekst, ishin rezultat i menaxhimit të mangët të regjistrave zyrtar nga shërbyesit e atëhershëm civil, që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e librave të provimit të jurisprudencës, dhe këto gabime nuk mund t’iu atribuohen kandidatëve për provim, siç këtë e kanë bërë z. Hasani dhe disa media që i kanë besuar atij.

“Në bazë të provave të grumbulluara dhe gjetjeve të hetimit, Prokuroria Themelore ka konstatuar se jo vetëm pretendimet e ngritura fillimisht nga z. Hasani, por më vonë edhe nga disa media, janë tërësisht të pabazuara, të paqëndrueshme dhe të pambështetura në asnjë provë relevante. Si rrjedhojë, analizimi i detajuar i provave në këtë rast përjashton mundësinë e ekzistimit të ndonjë vepre penale që është e inkriminuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Për këto prova dhe analizën e çdo detaji të tyre, që janë kryer nga prokuroria, nën monitorimin e prokurorit të EULEX-it, mediat dhe publiku mund të informohen më hollësisht nga aktvendimi mbi hedhjen nga prokurori i rastit si dhe dokumentacioni tjetër relevant në shtojcën e këtij dokumenti”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Themelore thotë se ka konstatuar se mënyra dhe koha të cilat Enver Hasani i ka zgjedhur për të ngritur pretendimet e veta dhe më pas, mënyra në të cilën këto pretendime janë eksploatuar nga disa media përderisa hetimi ishte në zhvillim e sipër, “i përngjan një fushate dhe presioni të orkestruar për të ushtruar ndikim mbi prokurorin e rastit, por edhe mbi të gjithë sistemin prokurorial”

“Këto pretendime qëllimisht synonin nxjerrjen e rezultatit të pavërtetë dhe skajshmërisht të shtrembëruar”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.