Prokurori: Vrasja e Triumf Rizës Ishte Qyqare

Ky prokuror paraqiti fjalën përfundimtare në gjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitjen e Arben Berishës për të vrarë Triumf Rizën.

Gjykimi për vrasjen e ndodhur me 30 gusht të vitit 2007 dhe i filluar më 31 tetor të vitit 2014 po i afrohet fundit.

Prokurori Carney, në seancën e sotme  paraqiti pretendimet e prokurorisë në një kronologji të detajuar të rastit duke filluar nga incidenti i parë mes Rizës dhe Sekiraqës e deri te vrasja e policit Riza në gusht të vitit 2007.

Carney tha se vrasja e Rizës ishte qyqare.

“Triumf Riza ishte një oficer i shquar që papritur hyri në luftë kundër kriminelëve. Ai ishte një djalë shumë i dashur, vëlla dhe një njeri shumë i guximshëm, ai ishte një sportist i shkëlqyer që nuk pranoi të shihte vendin e tij të binte në duar të krimit të organizuar. Duke bërë punën e tij në mënyrë  vetëmohuese ai në mënyrë të pashmangshme u konfrontua me ta dhe ata e vranë duke e qëlluar prapa shpinës në mënyrë qyqare dhe të turpshme,” tha Carney.

Prokurori tha se vrasjen e Rizës e urdhëroi  Sekiraqa, ndërsa për këtë vrasje me 35 vjet burg është i dënuar Arben Berisha.

“Prokuroria beson që Berisha ishte vetëm tërheqës i këmbëzës, fajtori i vërtetë që ka planifikuar, organizuar dhe shtyrë vrasjen ishte Sekiraqa dhe në rast se ai gjendet fajtor, prokuroria thotë që faji i të pandehurit është më i madh se ai i Arben Berishës,” tha Carney në fjalën e tij përfundimtare.

Prokurori deklaroi se  mbrojta e Sekiraqës është e ndërtuar në teori konspiracioni,ndërsa pati një kërkesë për trupin gjykues.

“Prokuroria kërkon nga ju që të mos frikësoheni nga thashethemet dhe aluzionet, por vetëm të keni parasysh dëshmitë e forta. Enver Sekiraqa është një vrasës dhe ne kërkojmë nga ju që të merrni vendimin e duhur dhe që me atë vendim, ai të jetë fajtor,” tha Carney.

Fjalën përfundimtare të prokurorit Carney e mbështeti edhe Shefqet Riza babai i Triumf Rizës.

“Sa i përket fjalës së prokurorit unë plotësisht e përkrah dhe unë e di se djalin nuk mund të ma ngjallë askush, por më vjen jashtëzakonisht mirë për një prokuror kaq të përpiktë, për provat e ofruara dhe për një paraqitje shteruese të të  gjitha të dhënave deri te vrasje e Triumfit,” tha Riza.

Në seancën e radhës që do të mbahet më 10 maj, mbrojtja e Sekiraqës do të paraqesin fjalën e tyre përfundimtare.