Ndërtesa në Hagë ku është vendosur Gjykata Speciale

Prokurori i Specializuar Pret Ndihmën e Kosovës

Kur kanë kaluar rreth dy vjet nga koha kur ligjet që mundësuan krijimin e Gjykatës Speciale u votuan në Kuvendin e Kosovës, Zyra e Prokurorit të Specializuar, si organ i krijuar me këto ligje, pret ndihmën e prokurorisë kosovare për hetimin e rasteve që i ka në kompetencë.

Ofrimi i asistencës së Prokurorisë së Kosovës për Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashihet edhe në Ligjin me të cilin u krijua ky institucion.

Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv i Zëvendëskryeprokurorit të Specializuar, për KALLXO.com tha se pret nga Institucionet e Kosovës të përmbushin detyrimet e tyre.

“Prokurori i Specializuar pret nga institucionet e Kosovës të përmbushin obligimin për të ndihmuar Prokurorin e Specializuar”, tha ai.

Hollerhead ka thënë se kanë qenë të inkurajuar me ndihmën që autoritetet kosovare i kanë dhënë “task forcës” hetuese dhe se nuk kanë asnjë arsye të besojnë se kjo gjë do të ndryshojë tani me Prokurorinë e Specializuar.

Ligjet që përcaktojnë funksionimin e dhomave të specializuara u miratuan në gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, ndërsa ende nuk ka asnjë aktakuzë nga ky institucion.

Hollerhead nuk ka pranuar të komentojë lidhur me rastet që janë në hetim.

Kreu i Prokurorisë së Specializuar, David Schwendiman, ishte në nëntor të vitit të kaluar në Kosovë dhe me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezin, kanë biseduar për bashkëpunimin si dhe kompetencat e Prokurorisë së Specializuar.

http://kallxo.com/lumezi-e-schwendiman-diskutojne-per-kompetencat/

http://kallxo.com/miratohet-gjykata-speciale/

Më 7 shkurt të këtij viti janë bërë publikë emrat e gjykatësve të Gjykatës Speciale, disa prej të cilëve kanë shërbyer në Kosovë.

http://kallxo.com/emerohen-gjykatesit-e-gjykates-speciale/