Pamje nga seanca gjyqësore në rastin e Zoran Vukotiqit (Arkiv)- Foto: KALLXO.com

Prokurori Shpjegon Vrasjen e 13 Vjeçarit në Akuzën Ndaj Zoran Vukotiqit

Prokurori ndërkombëtar Paul Flynn ia ka lexuar pikat e akuzës të akuzuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq, sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Vukotiq, një serb nga rajoni i Vushtrrisë, akuzohet për krime të luftës ndaj civilëve shqiptarë në këtë komunë gjatë vitit 1999, në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake jugosllave.

Kur Flynn e përfundoi leximin e aktakuzës, i akuzuari tha se ndihet i pafajshëm ndaj akuzave për të cilat ngarkohet.

“Deklaroj se nuk jam i fajshëm për këtë aktakuzë kaq të turpshme që është paraqitur”, tha ai.

Një pikë e aktakuzës thotë se Zoran Vukotiq akuzohet ta ketë vrarë me armë automatike djaloshin shqiptar të moshës 13 vjeçare, Burim Mulin.

Aktakuza thotë se vrasja ka ndodhur në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 Prill 1999 rreth orës 15 në rrugën e “Sitnicës” (tani “Enver Musa”) në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë kur Vukotiq, bashkë me disa persona të paidentifikuar, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare.

“Burim Muli së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin kishin marrë biçikletën e fqinjit Skender Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të qytetit të Vushtrrisë. Duke lëvizur në drejtim të varrezave, me të arritur te rruga “Bajram Miftari”, kishin dëgjuar disa krisma armësh dhe nga frika kishin ndërruar rrugën dhe ishin nisur në drejtim të rrugës “Enver Musa”. Pikërisht në rrugën kryesore në drejtim të varrezave të qytetit i shohin tre policë me uniforma dhe të armatosur. Në momentin kur fëmijët fillojnë të kthehen me biçikletë për të ikur, njëri nga policët – tani i pandehuri Zoran Vukotiq- pa paralajmërim, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve duke e qëlluar në gjoks fëmijën Burim Mulin i cili vdes menjëherë. Ndërsa fëmija tjetër Faton Muli arrin me fat t’u shpëtojë të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit të një dyqani i cili ndodhej aty afër”, thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorit Flynn, me këtë, i pandehuri Vukotiq, në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet kundër Zoran Vukotiq në maj të vitit 2014 për veprën penale Krime Kundër Popullatës Civile.

Prokurori Flyyn tha se aktakuza do të përfaqësohet nga vetë ai dhe nga prokurori vendor, Elez Blakaj.

Seanca e dytë e shqyrtimit gjyqësor nuk do të mbahet ndërsa gjykata i dha afat avokatit Vlajiq, mbrojtësit të të akuzuarit, për t’i paraqitur kundërshtimet e tij në lidhje me aktakuzën deri më 15 janar 2018.

KALLXO.com ka përcjellur në vazhdimësi procesin ndaj Zoran Vukotiqit.