Fotografitë e Leotrim dhe Leonard Bytyqit në vendin ku u mbytën - Foto: KALLXO.com

Prokurori Përfundon në Komision Disiplinor

Gjetjet e emisionit “Drejtësia në Kosovë” e kanë shtyrë Zyrën e Prokurorit Disiplinor të ndërmarrë hetime disiplinore ndaj prokurorit të rastit ku humbën jetën dy fëmijët e familjes Bytyqi nga Serbica e Ulët e Prizrenit.

Zyra e Prokurorit Disiplinor të KPK-së e ka dërguar në procedurë disiplinore prokurorin Sefer Morina me pretendimet për sjellje të pahijshme gjatë trajtimit të rastit të vdekjes se dy femive të familjes Bytyqi.

Në tetor të vitit të kaluar, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar se si Prokuroria dhe Policia për muaj të tërë nuk kanë arritur të zbardhin shkaktarët që quan në vdekjen e Leotrim e Leonard Bytyqit, të cilët kishin humbur jetën në një gropë të mbushur me ujë.

Të gjeturat e emisionit “Drejtësia në Kosovë” kishin treguar edhe për dyshimet që prindërit e fëmijëve i kishin pasur në organet e ndjekjes pasi prokurori i rastit nuk ka urdhëruar dërgimin e fëmijëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të zbardhur shkaktarin e vërtetë të vdekjes se tyre.

Hulumtimi po ashtu kishte treguar se Policia për muaj të tërë kishte qenë në pritje të Prokurorisë për të zhvilluar hetime, ndërsa Prokuroria i kishte vënë fajin Policisë për mosvazhdim të hetimeve.

Përfundimisht, pas 6 muaj hetimesh, Zyra e Prokurorit Disiplinor e ka njoftuar emisionin “Drejtësia në Kosovë” se bazuar në të gjeturat e raportuara kjo Zyrë ka arritur në konstatim se prokurori i rastit Sefer Morina, prokuror në Prokurorinë Themelorë në Prizren, kishte kryer “sjellje të pahijshme” dhe i njëjti me rekomandim të ZPD-së është dërguar në Komisonin Disiplinor të KPK-së.

http://kallxo.com/harrohet-ne-sirtar-hetimi-per-vdekjen-e-dyfishte-ne-prizren/