Pamje nga seanca e gjykimit të zyrtarëve të BSPK-së - Foto: KALLXO.com

Prokurori Pengon Gjykatën, Ndërpritet Seanca

Kryetari i trupit gjykues në procesin ndaj tre zyrtarëve të BSPK-së ka ndërprerë seancën pasi ka konsideruar se prokurori Ilaz Beqiri është duke e penguar punën e Gjykatës.

“Kryetari i trupit gjykues merr aktvendim për ndërprerje të seancës sepse prokurori Ilaz Beqiri po e ndërpret punën e Gjykatës”, ishte vendimi i gjyqtarit Beqir Kalludra.

Ky vendim erdhi pasi fillimisht gjyqtari ia tërhoqi vërejtjen prokurorit se është duke e penguar punën e kryetarit të trupit gjykues dhe i kërkoi ta respektojë rendin e fjalës.

“I tërhiqet vërejtja prokurorit se po ndërhyn në punën e kryetarit të trupit gjykues”, tha gjyqtari.

Gjyqtari deklaroi se për këtë do të lajmërohet edhe kryeprokurori dhe do të kërkojë nga ai që të caktohet një prokuror tjetër.

“Për këtë ndërprerje do të njoftohet kryeprokurori i Prokurorisë përkatëse dhe do të kërkoj nga ai që të caktojë një prokuror tjetër. Seanca e radhës caktohet më 16 gusht”, tha në fund kryetari i trupit gjykues.

Gjyqtari Kalludra gjatë kësaj seance ia ka tërhequr vërejtjen edhe avokatit Ali Latifi, mbrojtës i të akuzuarit Rrahman Emini.

“I bëhet vërejtja e fundit avokatit Ali Latifi për shkak të mosrespektimit të Gjykatës”, ishte fjala e gjyqtarit.

Këtë e kundërshtoi avokati Latifi ndërsa gjyqtari theksoi se çdo pengesë e mëtutjeshme ka për pasojë largimin e përhershëm nga mbrojtja.

Gjatë kohës sa u mbajt seanca vazhdoi marrja në pyetje e të akuzuarit Rrahman Emini.

Në pyetjen e të akuzuarit Bahri Shabani, ish-kryetar i BSPK-së, se çështja e huazimit të mjeteve prej 11,500 eurove a është bazuar në kontratën në mes BSPK-së dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rrahmani u përgjigj në këtë formë.

“Unë si arkëtar kam marrë urdhëresa të nënshkruara dhe ato ia kam dorëzuar Sami Rrahmanit”, tha Emini.

I akuzuari u pyet gjithashtu se a janë kthyer në BSPK këto mjete ndërsa ai u përgjigj se gjatë kohës sa ka punuar në kontabilitet nuk janë kthyer, por kur ka punuar si arkëtar ka dëgjuar se janë kthyer.

Për këtë huazim pyetje shtroi edhe prokurori Ilaz Beqiri.

“A është e vërtetë se në vitin 2005 nga arka e BSPK-së është tërhequr shuma prej 11,500 eurove dhe cili ka qenë destinimii tyre”, ishin pyetjet e prokurorit drejtuar të akuzuarit.

“Është e vërtetë dhe ka ekzistuar urdhëresa e nënshkruar nga eprorët tonë. Këto para ia kam dorëzuar Samiut. Sipas dokumentacionit ai huazim ka qenë i destinuar për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, deklaroi i akuzuari.

Deklarimi i këtij të akuzuari mbeti në gjysmë pasi gjykimi u ndërpre nga gjyqtari.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani.

Këta të tre akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në bazë të marrëveshjes kanë përvetësuar mjete financiare.

Sipas aktakuzës, Bahri Shabani si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini financier i saj dhe Sami Rrahmani shofer kanë kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon se në bazë të urdhrit të Shabanit, i akuzuari Emini më 11 nëntor 2005 ka tërhequr nga arka si huazim për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën prej 11,500 eurove, të cilat i ka pranuar i akuzuari Sami Rrahmani, ndërsa për këtë nuk ka ekzistuar ndonjë kontratë huazimi me Ministrinë.

KALLXO.com ka raportuar për dy seanca të këtij rasti që ishin shtyrë. Seanca e muajit prill ishte shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit Ilaz Beqiri dhe të akuzuarve Bahri Shabani e Sami Rrahmani, e tjetra, e muajit qershor, ishte shtyrë për shkak të mungesës së prokurorit Beqiri.

http://kallxo.com/mungesa-e-prokurorit-shtyn-seancen-e-korrupsionit/