gavel and book close up, shallow dof

Prokurori nuk u Përgjigjet Akuzave të Avokatëve

Tensioni, fjalët për tendencat dhe provat kundërthënëse të prokurorit të thëna nga dy avokatë, karakterizoi seancën e gjykimit kundër Mentor Seferajt, Gjergj Gjokajt e Bajram Shalës.

Këta të tre nga Prokuroria Speciale akuzohen për mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të substancave narkotike dhe organizim të grupit kriminal, ndërsa të premten u dha fjala përfundimtare e palëve.

Gezim Kollçaku avokati i të akuzuarit Gjergj Gjokaj tha se prokurori Kuraja duke u munduar dëshpërimisht për ta mbrojtur dinjitetin e Prokurorisë Speciale, gjatë tërë procxesit të deritashëm gjyqësor plotësoi aktakuzën që ajo të peshojë mëç rëndë për dënimin e të akuzuarve

“Tash prokurori shkon e plotëson dispozitivin e aktakuzës. ‘Duke pritur Gjergjin dhe Mentorin, Bajrami ka hapur derën sipas planit’ (citon prokurorin). Tash prokurori për ta bërë më të fortë krimin e organizuar, thotë se këta (të akuzuarit) paskan pasur plan. Edhe unë u frikësova se prokurori ndërkohë ka gjetur ndonjë provë materiale, ndonjë telefonatë tjetër.. .thash çka u bo,” tha avokati Kollçaku.

Kollçaku deklaroi se prokurori është dashur t’i bënte rikualifikim akuzës për krim të organizuar, pasi sipas këtij avokati, i akuzuari Bajram Shala ka thënë se nuk e njeh Gjergj Gjokajn.

Për të pasur akuzë për krim të organizuar Kollçaku tha se sipas ligjit duhet të jenë 3 bashkëpjesëmarrës në një grup të tillë.

“Me këtë deklaratën e këtij (Bajram Shales ), prokurorit i ka rënë krimi i organizuar. Edhe tash meqë Prokuroria Speciale merret vetëm me krim të organizuar, ka dashur gjithsesi t’i përfshijë si pjesëmarrës në krim të organizuar,” tha Kollçaku.

Akuza të ngjashme për prokurorin në seancë pati edhe Haxhi Millaku avokati i Mentor Seferajt që tha ndër të tjera se autoriteti i Prokurorisë Speciale nuk mund të mbrohet me aktakuza të trukuara.

Prokurori Kuraja qëndroi indiferent ndaj akuzave të mbrojtësve, ndërsa tha se pretendimet e prokurorisë do të vërtetohen nga gjykata.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 23 janar.

Kallxo.com raportoi për këtë rast edhe në nëntor.