Gjykata Speciale në Beograd. Foto: Beta/AP/Darko Vojinovic.

Prokurori nga Beogradi Kërkon Burg për Luftëtarët Serbë

Në deklaratën e tij përfundimtare, zëvendësprokurori i krimeve të luftës i Serbisë Dushan Knezeviq i bëri thirrje Gjykatës Speciale të Beogradit t’i dënojë dhjetë të pandehurit me një total prej 83 vitesh burg.

Ai tha se ishte vërtetuar se të akuzuarit – ish-anëtarë të forcave të mbrojtjes territoriale serbe, Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe njësisë paraushtarake “Dushani i Madh” – kryen krime lufte në Lovas.

Ata akuzohen se sulmuan Lovasin dhe vranë 20 civilë kroatë më 10 tetor 1991.

Fshatarë të tjerë u ndaluan më pas dhe u vranë në burgje të improvizuara, ndërsa të mbijetuarit u detyruan të ecnin nëpër një fushë të minuar, duke bërë që edhe shumë të tjerë prej tyre të humbnin jetët e tyre.

“Provat tregojnë pa asnjë dyshim se ata i kryen këto krime, i tërhoqi atmosfera e luftës dhe e morën ligjin në duart e tyre”, tha Knezeviq në gjykatë.

Ai kërkoi një dënim me 14 vjet burg për Petronije Stevanoviq, dhjetë vjet burg për Zhelko Krnjajiq, Milan Devçiq dhe Miodrag Dimitrijeviq, nëntë vjet burg për Zoran Kosjer, tetë vjet burg për Jovan Dimitrijeviq dhe Sasha Stojanoviq, pesë vjet burg për Darko Periq dhe Radovan Vlajkoviq, dhe katër vjet burg për Radislav Josipoviq.

Të gjithë ish-luftëtarët u dënuan në vitin 2012, por Gjykata e Apelit e Serbisë e anuloi vendimin dhe çështja kaloi për rigjykim në vitin 2014.

Katër prej tyre që u dënuan fillimisht – Ljuban Devetak, Dragan Baciq, Aleksandar Nikolaidis dhe Milan Radojçiq – kanë vdekur që atëherë.

Avokatja e viktimave, Marina Kljajiq, u ankua në gjykatë se aktakuza nuk përfshin të gjithë autorët e krimeve apo sfondet e krimeve.

“Ajo që duhet të merret në konsideratë është se pati dëbime dhe se civilët u shënjestruan vetëm se ata ishin kroatë apo anëtarë të Bashkimit Demokratik Kroat (partia qeverisëse në Kroaci)”, tha Kljajiq.

I pandehuri Krnjajiq ndërkohë mohoi të ketë sulmuar civilë të paarmatosur apo të ketë qenë anëtar i njësisë paraushtarake “Dushani i madh”.

“Ajo njësi ishte shumë larg nesh. S’kam qenë kurrë me ata dhe asnjë nga dëshmitarët s’mund të thoshte që më ka parë mua dhe njësinë time atje”, tha Krnjajiq në gjykatë.

Ai tha se ishte në fakt zëvendëskomandanti i rajonit të policisë në Tovarnikut, një qytet pranë Lovasit.

Devçiq mohoi të ketë marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor të civilëve nga Lovasi që ishin ndaluar.

“Nuk e kuptoj nga vijnë këto prova, nëse s’kam marrë pjesë në mbajtjen e civilëve në ndonjë lloj burgu”, tha ai.

Gjyqtari i programoi deklaratat mbyllëse të mbrojtjes për më 10 dhe 11 maj.