Prokurori Mungon në Gjykimin e ish-Zyrtarit të Gjykatës

Në gjykimin ku ish- zyrtari i Gjykatës së Qarkut në Pejë Jahja Imami po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ose autorizimit dhe Fatmir Muriqi për mashtrim, ky i fundit dhe kryeprokurori Agim Kurmehaj nuk u paraqitën në seancë.

Mungesën e prokurorit e konstatoi kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika.

“…mungon kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë Agim Kurmehaj dhe zyrtari I tij ligjor ka njoftuar gjykatën se i njëjti gjendet në pushim vjetor”, tha  Zika.

Zika më tutje foli edhe për mungesën e të akuzuarit Fatmir Muriqi. Tregoi se ai mund të mos e ketë marrë ftesën në mënyrë të rregullt.

“…mungon i akuzuari Fatmir Muriqi për të cilin gjykata nuk ka prova se është ftuar me kohë dhe me rregull, nuk janë kthyer fletëkthesat në gjykatë”, tha gjyqtari Zika.

Pasi nuk u plotësuan kushtet e parapara me ligj, seanca u shty për muajin gusht.

Jahja Imami dhe Taulant Fatmir Muriqi po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për mashtrim.

Sipas aktakuzës, Jahja Imami si person zyrtar në ish-Gjykatën e Qarkut në Pejë i ka mundësuar të akuzuarit të dytë Fatmir Muriqit nga Peja të fitojë dobi pasurore prej 28.000 eurove duke i vërtetuar kontrata mbi shitblerjen me vulën katrore.

Prokuroria pretendon se kontratat Imami i vërtetoi edhe përkundër faktit se I pandehuri Fatmir Muriqi nuk posedonte autorizim për shitblerje.

Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës kjo vepër ka ndodhur në dhjetor të vitit 2011.