Prokurori Kërkon Konfiskimin e Pasurisë në Gjykimin për Narkotikë

Në gjykimin e Vllaznim Hoxhës për narkotikë, prokurori Mehdi Sefa kërkoi konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria në aktakuzë i ka propozuar gjykatës që të bëhet konfiskimi i përhershëm i substancave narkotike, revoles së tipit TT dhe municionit, veturës së tipit “Jaguar”, shumës së parave prej 23 mijë eurove, një “iphone” dhe dy “Samsung”-ve  të cilat janë gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit.

Vllaznim Hoxhaj akuzohet për blerje, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotropike si dhe të armëmbajtjes pa leje, ndërsa avokati i tij Naim Qelaj kërkoi nga gjykata që t’i jepet hapësirë për hyrje në marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

“Është interes i të akuzuarit që të inicojë procedurën e negociimit në lidhje me arritjen e marrëveshje për pranimin e  fajësisë”, tha avokati Qelaj.

Qelaj, po ashtu kërkoi që të akuzuarit t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, e konsideroi të ligjshme kërkesën e mbrojtjes për negocim dhe pranim të fajësisë.

“Sa i përket masës së arrestit shtëpiak, konsideroj se duhet të ndërpritet kjo masë me të vetmin qëllim që këtu i akuzuari Vllaznim Hoxhaj mos të kalojë duke e vuajtur dënimin në shtëpi”, tha Sefa.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani vendosi që t’u lë hapësirë palëve për arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.

Po ashtu të akuzuarit Vllaznim Hoxhaj, iu ndërpre masa e arrestit shtëpiak dhe iu zëvendësua me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Seanca e radhës do të mbahet më 2 qershor 2017.